Të hënën promovohet libri “Poezi nëpër kohë” i autorit Bajram Zyba
Të hënën, më 28 korrik 2025, në ambientet e Bibliotekës së Qytetit “Hajdin Berisha”, do të mbahet promovimi i librit të ri poetik “Poezi nëpër kohë” të autorit të njohur Bajram Zyba.
Foto: Ilustrim
Ngjarja do të zhvillohet në orën 12:00 deri në 13:00, ku të pranishmit do të kenë mundësinë të dëgjojnë nga vetë autori për poezitë e tij që prekin dashurinë, kohën dhe kujtesën. Promovimi premton të jetë një takim i veçantë letrar në zemër të qytetit, ku fjala artistike takohet me përvojën e thellë jetësore të një mësuesi dhe krijuesi që ka lënë gjurmë në arsim dhe letërsi.
Bajram Zyba, i lindur më 25 prill 1949 në fshatin Bukosh të Suharekës, është një figurë e njohur e arsimit dhe letërsisë vendore. Pas përfundimit të arsimit fillor në vendlindje dhe të mesëm në Mushtisht e Prizren, ai u diplomua si mësues në Tetovë në vitin 1972. Për plot 42 vite, Bajram Zyba punoi si mësues në Shkollën Fillore “Vëllezërit Frashëri” në Bukosh.
Përkundër kushteve të vështira ekonomike dhe politike gjatë viteve ’90, ai nuk e ndali asnjëherë pasionin për shkrimin. Deri në fillim të luftës kishte shkruar 42 poezi, të cilat, për fat të keq, u dogjën bashkë me shtëpinë e tij gjatë luftës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai u angazhua me logjistikë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe përjetoi dhunë nga regjimi serb – duke përfshirë arrestimin dhe maltretimin nga policia serbe në gusht të vitit 1995.
Pas luftës, megjithëse me më pak intensitet, ai vazhdoi të shkruajë poezi. Libri i tij i fundit, “Poezi nëpër kohë”, përmban 55 vjersha që reflektojnë periudha të ndryshme të jetës dhe shoqërisë, një pasuri emocionale e shkrirë në vargje.
Edhe sot, në moshë të shtyrë, autori vijon të krijojë, me shpresën se do të dhurojë lexuesve të tij edhe shumë poezi e ndoshta prozë.