Suharekë, vdes burri që dyshohet se u rrëzua në vendin e punës
Një burrë nga Suhareka ka humbur jetën të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e një rrëzimi në vendin e tij të punës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja kishte ndodhur më 18 qershor 2025, kur viktima ishte rrëzuar gjatë kryerjes së punës dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor. Fatkeqësisht, më 23 qershor është konfirmuar se ai ka ndërruar jetë në QKUK.
“Me datën e lartcekur viktima mashkull kosovar me dyshohet se ishte rrëzuar në vendin e tij të punës me ç’rast është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa me datën 23.06.2025 është raportuar se i njëjti ka ndërruar jetë në QKUK. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Viktima është A.R., 49-vjeçar nga fshati Sallagrazhdë.
Fillimisht ai ishte në gjendje të vetëdijshme dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit nga ekipi emergjent i QKMF Suharekë.
Por pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, më 23 qershor 2025, rreth orës 22:00, Ramadani ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm në Prishtinë.
Autoritetet janë duke e trajtuar rastin dhe priten rezultatet e autopsisë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes tragjike.