Suharekë – pas disa dështimeve, me dy vota të LDK-së kalon rregullorja për bonuset e zonimit

29.08.2025

Në mbledhjen e 8-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Suharekës, pas tre dështimeve të mëparshme, më në fund është miratuar Rregullorja për Bonuset e Zonimit. Vendimi u mor në tentimin e katërt, me 15 vota për, 13 kundër dhe një abstenim.

Përveç votave të asambleistëve të pozitës, rregullorja mori mbështetjen edhe të dy asambleisteve nga radhët e LDK-së, Bulëza Kuqi dhe Elmaze Bytyçi, gjë që rezultoi vendimtare për kalimin e saj.

Megjithatë, vendimi ka ngjallur reagime të forta nga opozita. Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liridon Fandaj, e cilësoi miratimin e rregullores si rezultat të “shpëtimit” me dy vota nga LDK, duke i quajtur ato “patericat e pushtetit”.

“Kjo rregullore nuk është për qytetarët, por për xhepat e disa të afërtve të pushtetit.
Më shumë beton, më pak gjelbërim.
Më shumë marrëveshje të dyshimta, më pak transparencë.
Më shumë klientelizëm, më pak interes publik.
Ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! do ta kundërshtojmë çdo hap të saj. Suhareka nuk ka nevojë për pazare të ndërtimit, por për planifikim urban që i shërben njerëzve. Qyteti ynë nuk blihet me dy vota!”, u shpreh ai.

Rregullorja e re synon të krijojë kritere të qarta dhe transparente për bonuset e zonimit, të cilat Komuna do t’i ofrojë si stimuj për investitorët në këmbim të përfitimeve publike. Këto përfitime përfshijnë rritjen e hapësirave të gjelbra, përmirësimin e infrastrukturës, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, tokës bujqësore si dhe krijimin e hapësirave publike e sociale nga të cilat përfiton komuniteti.

Sipas dokumentit zyrtar, bonuset e zonimit mund të përfshijnë:

  • Zvogëlim të taksave komunale dhe tarifave të infrastrukturës;
  • Rritje të koeficientit ndërtimor dhe lartësisë së ndërtesave;
  • Zvogëlim të kërkesave për sipërfaqe minimale të parcelës;
  • Mundësi për densitet më të lartë ndërtimi në përputhje me Hartën Zonale të Komunës për periudhën 2022–2030.

Për aplikimin e bonuseve, investitorët duhet të dorëzojnë projekte të plota, përfshirë studimet e fizibilitetit dhe vlerësimet mjedisore. Kërkesat do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm, ndërsa marrëveshjet për përdorimin e bonuseve do të nënshkruhen nga Kryetari i Komunës.