Suharekë, më 2 gusht prezantohen kupat e kampionëve në shesh

29.07.2022

Këtë vit klubet e sporteve në komunën tonë treguan suksese të shumta, duke nisur nga klubi i futbollit, Ballkani që u shpall kampion i Superligës së Kosovës 2021/2022 e tani që po kalon tutje në garat evropiane në Ligën e Konferencës. Po ashtu, suksese tregoi edhe klubi i basketbollit, Golden Eagle Ylli që u shpall […]

Suharekë, më 2 gusht prezantohen kupat e kampionëve në shesh Foto: Ilustrim

Këtë vit klubet e sporteve në komunën tonë treguan suksese të shumta, duke nisur nga klubi i futbollit, Ballkani që u shpall kampion i Superligës së Kosovës 2021/2022 e tani që po kalon tutje në garat evropiane në Ligën e Konferencës.

Po ashtu, suksese tregoi edhe klubi i basketbollit, Golden Eagle Ylli që u shpall kampion i Superligës së Kosovës për të dytën herë radhazi.

Sukses i Yllit për këtë vit është edhe ajo që do të merrë pjesë në Ligën e Kampionëve të Basketbollit, ku më 7 korrik është hedhur shorti në Gjenevë.

Klubi basketbollistik nga Suhareka, Golden Eagle Ylli ndeshjen e parë në Champions League do ta luaj ndaj skuadrës portugeze, Benfica.

Sezoni i këtij kompeticioni do të fillojë më 4 tetor.

Gjithashtu në kuadër të garave të sportit shkollor, gjatë muajve që lamë pas u zhvilluan garat republikane në volejboll për SHMU-të dhe SHML-të, femra dhe meshkuj.

Në një konkurencë të fortë ku morën pjesë shkollat më të mira të Kosovës, ShMU “Dituria” – Samadrexhë, zuri vendin e parë duke u shpallur Kampion Republikan.

Sa i përket volejbollit, edhe KV Gjinoci është shpallur kampion i Kosovës në grupmoshën nën 16-vjeç, duke treguar profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë.

Si nga futbolli, basketbolli e volejbolli, kampione Suhareka është bërë edhe në Asociacionin e Para-Tenisit në Kosovë.

Ganimete Morina, Kryetare e Asocacionit të Para-Tenisit në karrocë në Kosovë dhe Pranvera Musaj anëtare e Asosacionit të Para-Tenisit me karrocë janë meritore të kësaj ngjarje. Morina e Musaj u bënë kampione në Asociacionin e Para-Tenisit në Kosovë, në Lojërat e Para të Sportit të Kosovës 2022.

Ndërkaq, të gjitha këto trofe të fituara falë profesionalizimit dhe përkushtimit të sportistëve tanë, më 2 gusht në sheshin e qytetit të Suharekës do të organizohet ekspozitë e këtyre kupave.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka bërë të ditur se kjo ekspozitë e kupave do të organizohet të martën e 2 gushtit nga ora 10:00 deri në 18:00.

Postimi i plotë i kryetarit Muharremaj:

Qyteti i Kampionëve që nënkuptohet Suhareka 

Ju prezenton më 2 gusht 2022 me kupat e sportistëve tanë. 

Ekspozita prezentohet në sheshin e qytetit nga ora 10:00 deri 18:00.