Specialja shton akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, referuar krimeve që pretendohet të jenë kryer në Semetisht e Budakovë të Suharekës

03.05.2022

Seancat e caktuara do të mbahen veç e veç me secilin ndaj katër krerëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Këta të lartpërmendurit pritet të rëndohet me akuza të reja që iu referohen krimeve që pretendohen të jenë kryer në fshatrat Budakovë dhe Semetisht të Komunës së Suharekës […]

Specialja shton akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, referuar krimeve që pretendohet të jenë kryer në Semetisht e Budakovë të Suharekës Foto: Ilustrim

Seancat e caktuara do të mbahen veç e veç me secilin ndaj katër krerëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Këta të lartpërmendurit pritet të rëndohet me akuza të reja që iu referohen krimeve që pretendohen të jenë kryer në fshatrat Budakovë dhe Semetisht të Komunës së Suharekës si dhe në konviktin e Gjilanit.

Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, u dorëzuan nga Prokuroria e Specializuar e kryesuar nga Jack Smith. Kjo pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 e aprovoi kërkesën për akuzat e reja, ndërsa u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së mbrojtjes.

Kësaj të fundit, do t’i duhet tani kohë shtesë për shqyrtimin e materialeve të ofruara bashkë me amandamentimet e aktakuzës, pjesë të mëdha të të cilave janë të redaktuara për publikun, përcjell KlanKosova.

Për këto anekse të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca ku të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.

Prokuroria rendit akuza për krime që pretendohet të jenë kryer në disa shtëpi nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. “Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa proces të rregullt, duke i mbajtur të arrestuar në lokacione si Budakovë e Semetishtë, në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999. Më 4 korrik, një person (REDAKTUAR) po ngiste mbi një kamionetë, kur tre burra u ndaluan nga (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), të cilët kishin veshur uniforma të zeza dhe mbanin pushkë automatike. Një person i tretë me uniformë mbërriti dhe qëndroi përballë me një raketahedhëse. I futën në bagazhin e automjetit dhe i dërguan në një shtëpi në Budakovë. Të tre burrat u vendosën në një bodrum dhe pastaj u rrahën”, thuhet ndër tjerash në pjesër e reja të aktakuzës.

Ish-pjesëtarë të UÇK-së, pa u specifikuar me emra, akuzohen se u kishin shkaktuar “vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike”, si dhe kishin “sulmuar dinjitetin e viktimave, duke i ndaluar në mënyrë arbitrare”.

“Një person (REDAKTUAR) dhe një shqiptar tjetër, kur u arrestuan rreth datës 4 korrik 1998 iu drejtuan edhe armët. Ndërsa po largoheshin nga vendi i arrestimit, u qëllua në (REDAKTUAR). Pas arrestimit tre burrat i dërguan në një shtëpi në Budakovë, dhe i rrahën për një orë. Tre burrat konsideroheshin se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe u torturuan edhe me ujë të nxehtë”, thuhet më tej në aktakuzë.

Në versionin e ndryshuar të aktakuzës janë përfshirë edhe vrasje që pretendohet të jenë kryer në Budakovë e Semetishtë.

“Kufomat e të arrestuarve u gjetën rreth datës 23 gusht 1998, me gjurmët e armëve që i përkiste personit (REDAKTUAR). Analiza e ADN-së konfirmoi se njëra nga kufomat e varrosura ishte e (REDAKTUAR)”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë, dhe shtohet se kjo “demonstroi qëllimin e tyre për t’i vrarë, ose për t’iu shkaktuar lëndime me dashje”.

Në konviktin e Gjilanit, në disa raste, pretendohet të jenë kryer krime të ngjashme, për të cilat Prokuroria i bën përgjegjës Thaçin dhe të tjerët.

“Në konvikt, një person (REDAKTUAR), u kontrollua dhe iu morën çelësat e veturës, dhe iu shqye patent-shoferi. Ai pasi u arrestua, u rrah me shkopinj, dhe njëri prej personave e vendosi pistolentën te viktima. Rrahja u krye në mënyrë të organizuar, dhe një nga personat jepte udhëzime si të kryhej rrahja”, thuhet në pjesët shtesë të aktakuzës.

Përmendet edhe një rast tjetër, ku sipas Prokurorisë, një person ishte rrëmbyer në Gjilan për t’u dërguar drejt konviktit, dhe sipas Prokurorisë “nuk u pa kurrë më”.

“Trupi i tij u gjet më 2 qershor 2000. Vetëm dy ditë më vonë, një tjetër person, u arrestua dhe u dërgua në konvikt dhe nuk u pa më kurrë. Trupi i tij u gjet në vitin 2022”, thuhet në aktakuzë.

Anekset e aktakuzës i gjeni KËTU

ANNEX-5-to-Submission-of-amended-Indictment-and-related-documents

ANNEX-6-to-Submission-of-amended-Indictment-and-related-documents

ANNEX-7-to-Submission-of-amended-Indictment-and-related-documents