Për 6 muaj në Suharekë, 5 raste të parave të falsifikuara!

23.06.2023

Paratë, jo gjithmonë, por pothuajse çdo herë janë të rëndësishme për njerzit, të cilët i përdorin ato për nevojat e tyre, qofshin ato elementare, të nevojshme, të obligueshme apo edhe raste të tjera. Mirëpo në shumë raste, njerzit me apo pa vetëdije fusin në qarkullim dhe deponojnë para të falsifikuara në vende të ndryshme, dukuri […]

Paratë, jo gjithmonë, por pothuajse çdo herë janë të rëndësishme për njerzit, të cilët i përdorin ato për nevojat e tyre, qofshin ato elementare, të nevojshme, të obligueshme apo edhe raste të tjera.

Mirëpo në shumë raste, njerzit me apo pa vetëdije fusin në qarkullim dhe deponojnë para të falsifikuara në vende të ndryshme, dukuri kjo e cila është mjaft shqetësuese për shoqërinë.

Në para të falsifikuara është hasur edhe në Komunën e Suharekës, ku vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, janar-qershor, në Policinë e Kosovës në Suharekë janë raportuar 5 raste të parave të falsifikuara.

Kështu ka bërë të ditur për SuharekaOnline, Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj.

Sylaj ka thënë se në bazë të raportimeve nga qytetarët e vendit nga muaji janar deri më tani janë regjistruar 5 raste të parave të cilat konsiderohen të jenë të falsifikuara.

Rasti i fundit i cili është raportuar në Stacionin Policor për para të falsifikuara ka qenë me 26 maj 2023, ku një person ka raportuar se është deponuar një kartëmonedhë në vlerë prej 100 eurosh, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

“Suharekë 26.05.2023 – 13:20. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se është deponuar një monedhë prej 100 € e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.” kishte bërë të ditur policia.