KEDS tregon arsyet për ndërprerjen e energjisë elektrike në disa fshatra të Suharekës
Pas ndërprerjeve të energjisë elektrike të raportuara gjatë ditës së sotme, Portali SuharekaOnline ka kontaktuar me KEDS për të marrë sqarime lidhur me situatën në terren.
Foto: Ilustrim
Pas ndërprerjeve të energjisë elektrike të raportuara gjatë ditës së sotme, Portali SuharekaOnline ka kontaktuar me KEDS për të marrë sqarime lidhur me situatën në terren. Nga kjo kompani është bërë e ditur se që nga ora 12:04 disa fshatra të Komunës së Suharekës kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike si pasojë e një prishjeje të madhe në rrjet.
Sipas KEDS-it, defekti ka qenë i vështirë për t’u identifikuar dhe deri para rreth një ore e gjysmë ka qenë e pamundur të lokalizohej shkaku i ndërprerjes. Pas verifikimeve teknike, është konstatuar se bëhet fjalë për një kabllo nëntokësore të dëmtuar, e cila cilësohet si prishje e madhe dhe kërkon ndërhyrje të specializuar.
Nga KEDS kanë bërë të ditur se ekipet teknike janë tashmë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit. Sipas tyre, pas përfundimit të punimeve pritet normalizimi i furnizimit me energji elektrike për zonat e prekura në Komunën e Suharekës.
Ndërkohë, banorët e fshatrave të prekura vazhdojnë të përballen me mungesën e energjisë elektrike, duke shpresuar në rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit.