Fillon vaksinimi i nxënësve të klasave të para dhe të gjashta në Suharekë
Njësia e vaksinimit në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka nisur të martën procesin e vaksinimit për nxënësit e klasave të para dhe të gjashta të shkollave fillore në komunë.
Gjatë ditës së parë të këtij procesi, u administruan vaksinat dT (difteri dhe tetanoz), bOPV (poliomieliti oral i inaktivizuar) dhe HPV (Human Papillomavirus), në përputhje të plotë me kalendarin zyrtar të vaksinimit të rekomanduar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Ky aktivitet i rëndësishëm shëndetësor ka si objektiv kryesor mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit të fëmijëve të moshës shkollore. Vaksinimi i rregullt luan një rol kyç në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të transmetueshme dhe në krijimin e një mbrojtjeje kolektive brenda komunitetit.
QKMF “Rexhep Kuçi” ka shprehur falënderimin e saj për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar nga të gjithë prindërit e nxënësve, si dhe për angazhimin e stafit arsimor në mbështetje të këtij procesi të rëndësishëm shëndetësor. Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shëndetësore, familjeve dhe shkollave është thelbësor për suksesin e programeve të vaksinimit dhe për të siguruar një mjedis të shëndetshëm për fëmijët.