Ende pa i bërë 9 muaj, nuk “mbijeton” asfallti në rrugën Peqan-Semetisht
Më 10 tetor 2019 Komuna e Suharekës kishte shpërblyer me hiq më pak se 26,707.60 € kompaninë fituese për asfaltimin e rrugës Peqan-Semetisht. Më datën 16 nëntor 2019 Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, kishte bërë të ditur se rruga që lidh këto dy fshatra po asfaltohet. Kanë kaluar më pak […]
Më 10 tetor 2019 Komuna e Suharekës kishte shpërblyer me hiq më pak se 26,707.60 € kompaninë fituese për asfaltimin e rrugës Peqan-Semetisht.
Më datën 16 nëntor 2019 Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, kishte bërë të ditur se rruga që lidh këto dy fshatra po asfaltohet.
Kanë kaluar më pak se nëntë muaj që nga asfaltimi i kësaj rruge dhe sipas fotove të siguruara nga redaksia tashmë asfalti ka filluar të prishet.
I kontaktuar nga SuharekaOnline, Drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani, ka bërë të ditur se janë të njoftuar për prishjet e asfaltit dhe sipas tij kompania fituese ka garantuar për punimet në afat prej 1 viti.
Në rast se kompania nuk e rregullon atëherë i konfiksohet sigurimi i tenderit, ka shtuar Shabani.
Ndërsa i pyetur se cilat mund të jenë shkaqet e krisjes së asfaltit, Enver Shabani, ka thënë se mund të jetë si pasojë e cilësisë së dobët të punimeve, terenit të butë apo edhe peshës së rëndë.
Sipas kontratës të siguruar nga SuharekaOnline figuron që Komuna e Suharekës dhe Operatori Ekonomik kanë nënshkruar që periudha garantuese të jetë 365 ditë dhe shuma e sigurimit të tenderit të jetë 10% e vlerës së kontratës në këtë rast 2,670.76 €.