Deputeti i AAK-së prezanton dokumente që dëshmojnë krimet e Serbisë në Suharekë dhe në qytete tjera

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Gazmend Syla, sërish ka publikuar dokumente që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë.

Syla ka përmendur krimet në Suharekë, Suhodoll të Mitrovicës, Brusnik dhe Novolan të Vushtrrisë.

“Kur krimi fshehet, z. Vuçiq! Kufoma të ekskumuara, që ju ndryshohet vendi i varrimit dhe sipas gjasave, për çështje kohe, nuk kanë pas mundësi t’i transportojnë në Batajnicë apo vendvarrime të tjera. 18 kufoma në Suharekë, 25 në Suhodoll të Mitrovicës, 20 në Brusnik dhe 18 në Novolan të Vushtrrisë.

81 motra e vëllezër tonë, që pasi u ekzekutuan, u mohuan nga varrimi dinjitoz dhe u shëtitën nëpër vendvarrime të ndryshme.Pse ndodhi kjo bartje? Pse të lëvizen mbetjet mortore nga një vend në tjetrin? Çfarë fshehë Serbia? Pse ishin kaq mizorë me të gjallët por edhe me të vdekurit tonë? Janë shumë “pse” – ja? Për shkak të pamjeve të tmerrshme, jam i detyruar që të mos publikoj të gjitha faqet e dokumenteve. Sot, po ndaj me ju, disa nga dokumentet që në fakt janë “raporte të vëzhgimit tekniko-kriminalistik të vendit të ngjarjes”, të kryera nga organet e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, pak para largimit të tyre nga Kosova” ka shkruar Syla.

Kujtojmë se në Komunën e Suharekës numri i të vrarëve civil e fëmijë është jashtëzakonisht i lartë. 379 civil janë të vrarë gjatë viteve 1998-1999, 86 dëshmorë që ranë në altarin e lirisë, 113 persona të pagjetur, gjithsej 578 të vrarë në komunën tonë. Nga ky numër janë 76 fëmijë të vrarë, ku prej tyre 56 meshkuj dhe 20 femra një nga ta serbë, 28 fëmijë janë të pagjetur, 8 fëmijë janë dëshmorë lirie të moshës 16-17 vjeç.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.