Dardan Berisha shpall kandidaturën për kryetar: “Me zemër e përkushtim për vendlindjen time!”
Një zhvillim i rëndësishëm në skenën politike lokale ka ardhur sot nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dega në Suharekë.
Kryetari aktual i degës, Dardan Berisha, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Komunës së Suharekës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Në një deklaratë të publikuar për opinionin, Berisha shprehet se kandidatura e tij është propozim i strukturave të PDK-së në Suharekë dhe një nder i jashtëzakonshëm për të.
“Është një nder i jashtëzakonshëm për mua të shpall kandidaturën për Kryetar të Komunës së Suharekës, një vend që nuk është vetëm vendbanimi im, por edhe shtëpia e zemrës sime, e historisë, dhe e shpresës për një të ardhme më të mirë,” u shpreh Berisha me emocion dhe vendosmëri.
Duke theksuar rëndësinë e angazhimit aktiv për transformimin e komunës, ai thekson se idetë e mira nuk mjaftojnë pa vullnet, guxim dhe përkushtim për t’i kthyer ato në realitet.
“Këtë përkushtim e kam dëshmuar çdo ditë të angazhimit tim,” shtoi Berisha, duke lënë të kuptohet se fushata e tij do të bazohet në një platformë të konkretizuar me vizion të qartë dhe veprime të guximshme.