Çfarë kishte premtuar Sali Asllanaj, në zgjedhjet lokale të 2017’s

23.06.2021

Deri më tani për zgjedhjet lokale në Kosovë, dihet vetëm data e tyre, 17 tetori. Po ashtu partitë politike kanë filluar edhe zyrtarizimet e kandidatëve për kryetar të komunave. Lidhja Demokratike e Kosovës dega Suharekë, ka zyrtarizuar kryetarin e kësaj dege, Ardian Shala për të parin e Komunës së Suharekës. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës […]

Çfarë kishte premtuar Sali Asllanaj, në zgjedhjet lokale të 2017’s Foto: Ilustrim

Deri më tani për zgjedhjet lokale në Kosovë, dihet vetëm data e tyre, 17 tetori.

Po ashtu partitë politike kanë filluar edhe zyrtarizimet e kandidatëve për kryetar të komunave.

Lidhja Demokratike e Kosovës dega Suharekë, ka zyrtarizuar kryetarin e kësaj dege, Ardian Shala për të parin e Komunës së Suharekës.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës për kryetar të Suharekës, ka zyrtarizuar Murtez Zekollin, ndërsa nga AAK është zyrtarizuar kryetari aktual i kësaj komune, Bali Muharremaj.

Por, kthehemi pak në kohë te zgjedhjet lokale të 2017’s.

Gjatë këtyre zgjedhjeve kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte ish-kryetari i degës së LDK-së në Suharekës, Sali Asllanaj.

Dhe si zakonisht partitë politike me kandidatin e tyre bëjnë disa premtime që mund t’i realizojnë brenda 4 viteve mandat.

Në atë kohë gjatë fushatës zgjedhore ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte porositur elektoratin në Suharekë, se kjo parti duhet të marrë drejtimin e komunës, pasi ka kandidatin më të mirë dhe të aftë për të udhëhequr me mandatin e ri katërvjeçar.

Sipas raportimeve të mediave në atë kohë gjatë fushatës zgjedhore, Sali Asllanaj kishte premtuar zhvillim ekonomik dhe në veçanti fuqizimin në zonat ekonomike në Samadraxhë e Shirokë.

Ai kishte premtuar se do t’i vazhdojë investimet në bujqësi, dhe se do të ketë rritje për 50 për qind të buxhetit për këtë sektor.

Lëmi tjetër kishte thënë se do të jetë zhvillimi i turizmit malor, rural në pjesët e bjeshkëve të Mushtishtit. Po ashtu kishte premtuar investime në infrastrukturën në drejtim të Brezovicës.

Po ashtu ai kishte premtuar se integrimi i të rinjve do të bëhet një pjesë në institucione dhe pjesën tjetër në sektorin privat, duke iu ndihmuar përmes fondeve dhe duke u mundësuar një praktikë me pagesë.

Gjithashtu ai kishte premtuar se do të ndërtojë në të gjitha vendbanime fusha sportive dhe se kishte filluar punimet për ndërtimin e shtëpisë së kulturës “Ukë Bytyqi”.

Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2017 kishte fituar AAK me kandidatin e saj për kryetar, Bali Muharremaj, i cili këtë vit përfundon mandatin 4-vjeçar.