Bujqësia në Suharekë, sektor premtues në rimëkëmbjen ekonomike

25.10.2020

Sektori i bujqësisë vlerësohet si njëri nga sektorët me potencial të madh në Kosovë, i cili mund të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Ekspertë të ekonomisë dhe të politikave bujqësore në Kosovë, thonë se investimi në këtë sektor do t’i mundësojë vendit zhvillim më të hovshëm. Kosova, fatmirësisht, ka një traditë të gjatë në prodhimtari, […]

Bujqësia në Suharekë, sektor premtues në rimëkëmbjen ekonomike Foto: Ilustrim

Sektori i bujqësisë vlerësohet si njëri nga sektorët me potencial të madh në Kosovë, i cili mund të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit.

Ekspertë të ekonomisë dhe të politikave bujqësore në Kosovë, thonë se investimi në këtë sektor do t’i mundësojë vendit zhvillim më të hovshëm.

Kosova, fatmirësisht, ka një traditë të gjatë në prodhimtari, ka një klimë mjaft të përshtatshme dhe janë disa parakushte shumë të mira dhe ka kërkesa të vazhdueshme për ushqim. Tregu kosovarë është i pangopur me produkte bujqësore, ku edhe shumicën e produkteve bujqësore i importojmë.

Gjithsej eksporti për produkte bujqësore në vitin 2018 ishte 63.9 mil. € ndërsa importi ishte 712.3 mil. €.

Nga sipërfaqja e Komunës së Suharekës prej 36.099 ha, 15.074 ha ose 41.7 % janë të mbuluarame pyje, 19.373 ha ose 53.7 % janë tokë bujqësore dhe 1.652 ha ose 4.6% sipërfaqe tjetër.

Sa i përket territorit të Komunës së Suharekës- me një sipërfaqe toke bujqësore prej 19,373 ha dhe një klimë të përshtatshme kontinentale të butë- ofron kushte të favorshme për zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Suharekës.

Tokat bujqësore të kategorisë I.II.III dhe IV janë të mbrojtura me ligjin mbi tokat bujqësore dhe konsiderohet se sipërfaqja e tokës pjellore në komunën e Suharekës përbën 53% të sipërfaqes totale të kësaj komune.

Edhe pse territori i komunës është i mbuluar mirë me rrjetin e lumenjve (sipërfaqe ujore) sasia e ujit të lumenjve është e pamjaftueshme për ujitjen e tokave bujqësore.

Për ti dal në ndihmë këtij sektori Komuna e Suharekës në vitet e fundit ka përkrahur bujqit si me hapjen e puseve, rrugëve fushore, ndërtimin e stallave për fermerë, ndërtimin e serave, blerjen e pajisjeve për bletari, blegtori e perimtari.

Në vitin 2019 Komuna e Suharekës ka ndërtuar 17 serra me nga 0.05/ha, një serrë është 0.03/ha, 3 serra nga 0.02/ha dhe 12 serra nga 0.01/ha. Vlera e projektit 89,000.00 euro. Gjithashtu janë rregulluar gjithsej 25 km rrugë fushore në: Suharekë, Vraniq, Mushtisht, Sopij, Dubrav, Reshtan, Krushic, Bllacë, Semetisht, Budakovë, Leshan, Tërrnje dhe Studençan, ku vlera e projektit ka qenë 110,000.00 euro, janë ndërtuar 11 shtalla ku vlera e projektit ka kushtuar 99,500.00 euro.

77 fermer ishin përfitues të fidanëve të llojeve të ndryshme të pemëve dhe hardhisë së rrushit, ku vlera e projektit ishte 30,000.00 euro. Furnizimi me pajisje Blegtorale- makina për mjeljen e Lopëve Qumështore dhe Centrifuga për nxjerrjen e mjaltit, po ashtu edhe 2 Inkubator për çeljen e zogjve në Shpezëtari, vlera e projektit 10,000.00 euro.

Ndërtimi i sistemit të ujitjes për tokat bujqësore – hapja e puseve – kanë përfituar 50 fermer ku vlera e projektit ka qenë 19,500.00 euro.

Buxheti i drejtorisë së bujqësisë në vitin 2018 ka qenë 230 mijë euro, ndërsa, në vitin 2019 është rritur në 440 mijë, duke parë nevojën më të madhe për të ndihmuar bujqësinë.

Gjithsesi edhe pse sektori bujqësor kontribuon 12% të GDP-së dhe formalisht punëson 5% të të punësurave të përgjithshëm, pozita dhe klima e Komunës së Suharekës premton që ky sektor mund të luajë rol rimëkëmbës në ekonominë vendore.