As komandant, as përgjigje – Policia hesht për Suharekën!”

11.07.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar për ndryshime në pozitat udhëheqëse të disa stacioneve policore në vend.

Sipas këtij njoftimi, janë caktuar komandantë të rinj për stacionet policore në Pejë dhe Klinë. Ndërkohë, pozita e komandantit në Stacionin Policor të Suharekës vazhdon të mbetet e paemëruar.

Komandanti i deritanishëm i Suharekës, kapiten Afrim Sylaj, është transferuar në Drejtorinë Rajonale Operative – DRP Prizren, duke lënë bosh pozitën që mbante në Suharekë. Edhe pse është bërë lëvizja zyrtare, deri më tani nuk është bërë publik ndonjë emër që do ta zëvendësojë atë në këtë funksion.

Redaksia e SuharekaOnline gjatë ditës ka kontaktuar Policinë e Kosovës me një pyetje të drejtpërdrejtë lidhur me këtë çështje: Kush është emëruar aktualisht në pozitën e Komandantit të Stacionit Policor në Suharekë? Megjithatë, përgjigja nuk ka ardhur as pas dy email-eve zyrtare, njëri prej të cilëve mban referencën Nr.Ref: DPP 01/01DIMP/0462-2025.

Për dallim nga Suhareka, për stacionet në Pejë dhe Klinë tashmë janë bërë publike emrat e komandantëve të rinj. Kjo mungesë transparence për pozicionin në Suharekë ngre pikëpyetje për vonesat në procesin e emërimit dhe qasjen e Policisë ndaj informimit të publikut.

A po cenohet transparenca institucionale dhe a ndikon kjo në nivelin e sigurisë publike në Suharekë, në mungesë të një komandanti zyrtar? Këto janë pyetjet që mbesin pezull, ndërkohë që qytetarët presin sqarime dhe veprime konkrete.

Për momentin, pozita e komandantit në Suharekë mbetet vakante, dhe qyteti nuk ka ende një drejtues zyrtar të stacionit policor, ndonëse funksionimi i tij vazhdon në nivel operacional.

Suhareka mbetet në pritje të një vendimi që jo vetëm do të ndikojë në strukturën udhëheqëse të sigurisë publike, por edhe në besimin qytetar ndaj institucioneve të rendit.