Ardhja e mërgimtarëve, Suhareka siguron hapësira shtesë për parkim të veturave
Me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë për festat e fundvitit, rrugët e vendit, veçanërisht ato në Komunën e Suharekës, janë mbingarkuar nga qarkullimi i madh i automjeteve me targa të huaja.
Foto: Ilustrim
Nga ekperiencat e kaluara, kjo gjendje shkakton vështirësi në trafik dhe mungesë të hapësirave të mjaftueshme për parkim.
Për të lehtësuar situatën dhe për t’u dalë në ndihmë mërgimtarëve, Komuna e Suharekës ka marrë vendim që të lirojë disa hapësira publike për parkim të përkohshëm. Sipas njoftimit zyrtar të komunës, nga data 19 dhjetor deri më 10 janar do të jenë në dispozicion për parkim këto hapësira:
- Oborri i Komunës së Suharekës
- Oborri i SHFMU “7 Marsi”
- Hapësira e parkingut te ish-tregu ditor

Vendimi ka hyrë në fuqi sot dhe do të vlejë deri më 10 janar 2026. Autoritetet komunale kanë bërë thirrje që këto hapësira të shfrytëzohen me përgjegjësi dhe në respekt të rregullave të trafikut, me qëllim që të sigurohet qarkullim më i lehtë dhe rend në qytet gjatë kësaj periudhe festive.