26 vjet nga krimet serbe në Dragaçinë: Dhimbje e përjetshme për 11 burrat e torturuar dhe hedhur të gjallë në pus
Sot shënohen 26 vjet nga një prej krimeve më mizore të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Më 21 prill 1999, në fshatin Dragaçinë të Komunës së Suharekës, 11 burra civilë shqiptarë u torturuan barbarisht dhe më pas u hodhën të gjallë në një pus.
Viktimat e këtij krimi të tmerrshëm ishin nga mosha 49 deri në 91 vjeç, duke dëshmuar brutalitetin e pashpirt të agresorit serb pa dallim moshe. Pas torturave çnjerëzore, trupat e pajetë të këtyre 11 burrave u hodhën në pus, i cili më pas u mbush me mbetje ndërtimore në një tentativë makabre për të fshehur gjurmët e krimit.
Zbulimi i trupave të tyre ndodhi pas përfundimit të luftës, krejt rastësisht, kur pronari i pusit kishte nisur punën për pastrimin e tij. Ky zbulim tronditës shërbeu si edhe një dëshmi e pathyeshme e urrejtjes së thellë dhe planit të detajuar të policisë dhe ushtrisë serbe për të kryer krime masive kundër popullsisë shqiptare dhe për t’i fshehur ato me çdo kusht.
Fakti se preokupimi kryesor i forcave serbe ishte zhdukja e trupave – përmes hedhjes në puse, djegieve, zhdukjeve, rrëmbimit të kufomave dhe formave të tjera çnjerëzore të dëmtimit dhe zhdukjes së trupave – flet qartë për natyrën gjenocidale të veprimeve të tyre në Kosovë.
Edhe pas 26 vjetësh, dhimbja për këta 11 burra të pafajshëm dhe për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë mbetet e freskët. Përkujtimi i kësaj dite shërben si një paralajmërim i vazhdueshëm kundër urrejtjes dhe dhunës, dhe si një thirrje e pandërprerë për drejtësi për të gjitha krimet e luftës të kryera në Kosovë. Emrat e tyre nuk do të harrohen kurrë dhe kujtimi për sakrificën e tyre do të jetojë brez pas brezi.