11 milionë euro për stadiumin e ri të Suharekës: Ballkani drejt një epoke të re me 6,500 ulëse moderne
Suhareka po hyn në një fazë të re të zhvillimit sportiv, me ndërtimin e stadiumit të ri që pritet t’i japë qytetit dhe klubit KF “Ballkani” një infrastrukturë moderne dhe dinjitoze.
Projekti, i cili ka vlerë 11 milionë euro, pritet të shndërrojë jo vetëm pamjen urbanistike të qytetit, por edhe përvojën e tifozëve që tash e tutje do të kenë mundësi të ndjekin ndeshjet në kushte të standardeve evropiane.
Stadiumi i ri do të ketë mbi 6,500 ulëse, duke ofruar kapacitet të mjaftueshëm për tifozët vendas dhe vizitorët nga gjithë rajoni, të cilët tashmë kanë treguar interes të jashtëzakonshëm për ndeshjet e Ballkanit, sidomos pas suksesit të klubit në garat ndërkombëtare. Përfaqësimi i denjë i kampionit aktual të Superligës së Kosovës në arenën evropiane ka rritur edhe më tej pritjet për një bazë infrastrukturore të nivelit të lartë.
“KF Ballkani do të ketë stadiumin që e meriton, ndërsa tifozët nga gjithë rajoni do t’i kenë mbi 6,500 ulëse nga ku do ta mbështesin ekipin e zemrës dhe të shijojnë futbollin”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka ndarë pamje të reja nga faza e punimeve. Ai theksoi se modernizimi i infrastrukturës sportive mbetet një ndër prioritetet e qeverisjes së tij, për të cilin investimet do të vazhdojnë.
Ndërkohë që punimet në stadiumin kryesor janë duke vazhduar në ritme të larta, fusha ndihmëse është tashmë e përfunduar, duke hapur rrugë për zhvillimin e stërvitjeve profesionale, ndeshjeve të moshave dhe aktiviteteve të tjera sportive.
Për klubin, i cili në vitet e fundit ka sjellë trofe dhe emocione në qytet dhe ka promovuar Suharekën në arenën ndërkombëtare, ky investim është një gurthemel i rëndësishëm drejt profesionalizimit dhe zhvillimit të mëtejshëm.
Stadiumi i ri i Suharekës pritet të bëhet jo vetëm shtëpia e Ballkanit, por edhe një qendër e rëndësishme sportive e sociale për të gjithë rajonin – një hap i madh përpara për komunitetin, sportin dhe identitetin e qytetit.