Mbyllen ndeshjet e javës në Ligën e Parë – Këto janë rezultatet

22.10.2025

Sot janë zhvilluar të gjitha ndeshjet e javës në kuadër të Ligës së Parë të Kosovës në futboll, ku ekipet u përballën në duele mjaft interesante.

Të gjitha takimet nisën në orën 13:00, ndërsa rezultatet dhanë një pasqyrë të qartë të garës së ngushtë në këtë kategori.

Në një nga përballjet më të ndjekura të ditës, Trepça arriti të marrë tre pikë të rëndësishme në udhëtim ndaj Vjosës, me rezultat 1:2, duke vazhduar garën për kreun e tabelës. Fitore shënoi edhe Rilindja 1974, e cila mposhti minimalisht Besën e Pejës me rezultat 1:0.

Ndeshja ndërmjet Suharekës dhe Trepçës’89 u mbyll pa fitues, me rezultat të barabartë 1:1, një pikë që mund të ketë rëndësi në renditjen e përgjithshme për të dy skuadrat.

Në Obiliq, KEK-u dhe Prizreni ndanë pikët në një barazim 1:1, ndërsa Vushtrria shfrytëzoi përparësinë e fushës për të mposhtur Istogun me rezultat minimal 1:0.

Dinamo ishte bindëse në duel ndaj Kikës, duke shënuar fitore të pastër 2:0, ndërsa dueli mes dy prej skuadrave me traditë, Liria dhe Vëllaznimi, përfundoi pa gola 0:0, në një përballje të fortë, por pa efikasitet në finalizim.