Leipzig i mohon festën titullit Bayernit në sekondat e fundit, Poulsen shokon bavarezëvet

03.05.2025

Një dramë e vërtetë u zhvillua në “Allianz Arena”, ku RB Leipzig arriti të barazojë shifrat në 3-3 kundër Bayern Munchen në sekondat e fundit të ndeshjes.

Goli i barazimit, i shënuar nga sulmuesi danez Yussuf Poulsen, shtyu matematikisht festën e titullit kampion për bavarezët.

Me këtë barazim të papritur, skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany tani duhet të presë me ankth ndeshjen e nesërme të Bayer Leverkusenit kundër Freiburgut. Nëse Leverkusen nuk fiton (barazon ose humb), atëherë Bayern Munchen do të shpallet kampion i Bundesligës për herë të 34 në histori.

Megjithatë, pavarësisht këtij barazimi, skenari që Bayern Munchen të mos fitojë titullin mbetet i vështirë. Edhe nëse humbin dy ndeshjet e fundit të kampionatit, golavarazhi i tyre superior e bën pothuajse të pamundur që të rrëzohen nga kreu i tabelës. Kështu, tifozët “bavarezë” mund të fillojnë të përgatiten për festën e titullit.

Nga ana tjetër, ky barazim i konvenon mjaft Leipzigut. Skuadra e “demave të kuq” po lufton fort për një vend që i siguron pjesëmarrjen në garat e UEFA-s sezonin e ardhshëm. Aktualisht, Leipzig ndodhet në vendin e pestë në tabelën e Bundesligës me 50 pikë të grumbulluara. Ky pikë i fituar në Mynih është një hap i rëndësishëm drejt objektivit të tyre evropian.