Kryeministri Kurti pret në zyrë Amir Rrahmanin – “Kapiteni ynë, kampion i Italisë, shembull për të rinjtë”

para 32 dite

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në zyrën e tij kapitenin e përfaqësueses së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani.

Kryeministri Kurti pret në zyrë Amir Rrahmanin – “Kapiteni ynë, kampion i Italisë, shembull për të rinjtë”

Në këtë takim simbolik e vlerësues për një nga sportistët më të suksesshëm të vendit, Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh trajner i njohur, Bylbyl Sokoli.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Kurti ka përshkruar me krenari rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Rrahmanit:

“Nga Drenica në Shqipëri te Partizani i Tiranës, prej aty në Kroaci te Spliti, Lokomotiva dhe Dinamo e Zagrebit, dhe pastaj në Itali fillimisht te Verona dhe tash te Napoli, Amir Rrahmani është një nga lojtarët më të mirë e më të suksesshëm të Kosovës dhe të kampionit të Serie A, Napoli.”

Kurti e ka cilësuar Rrahmanin si një model frymëzimi për sportistët e rinj në Kosovë, sidomos për futbollistët që ëndërrojnë suksesin ndërkombëtar.

“Me kënaqësi mirëpritëm kapitenin e Kosovës që është dy herë kampion i Italisë. E uruam për arritjet e jashtëzakonshme në futbollin profesionist, veçanërisht në një ekip si Napoli ku sa herë fiton bëhesh i paharrueshëm dhe ikonë për tifozerinë atje, si dhe e falënderuam për përfaqësimin e denjë të Republikës sonë – e unë edhe për fanellën që ma dhuroi”, përfundon postimi i Kryeministrit.

Pritja për Rrahmanin në zyrën e Kryeministrisë është një tjetër dëshmi e respektit dhe mirënjohjes institucionale për ambasadorët sportivë të Kosovës që ngrenë lart emrin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Etiketat

Ofertat e fundit