Kosova barazon me Estoninë në miqësoren e dytë – përmbyllje pozitive e dy ndeshjeve testuese

para 12 dite

Kombëtarja e Kosovës në futbollin e femrave ka mbyllur me barazim serinë e ndeshjeve miqësore ndaj Estonisë, duke luajtur 2-2 në sfidën e zhvilluar të martën.

Kosova barazon me Estoninë në miqësoren e dytë – përmbyllje pozitive e dy ndeshjeve testuese

Ndeshja nisi me epërsi për vendaset, pasi Estonia kaloi në avantazh në minutën e 13-të me golin e Lillemaes. Por reagimi i vajzave dardane ishte i menjëhershëm dhe mjaft bindës.

Fillimisht, në minutën e 30-të, Biqkaj shënoi golin e barazimit, duke rikthyer ekuilibrin në lojë. Vetëm 11 minuta më pas, në fundin e pjesës së parë, Memeti realizoi golin e dytë për Kosovën, duke përmbysur rezultatin në 1-2 dhe duke i dhënë epërsinë ekipit në pushim.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol të shpejtë, këtë herë në favor të Estonisë. Salei shënoi në minutën e 46-të, duke barazuar rezultatin në 2-2.

Pavarësisht përpjekjeve të të dyja ekipeve në minutat e mbetura, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fishkëllimën përfundimtare.

Kjo ishte ndeshja e dytë miqësore mes dy përfaqësueseve, pas asaj të zhvilluar më parë ku Kosova kishte fituar me rezultat minimal 1-0. Me një fitore dhe një barazim, vajzat e përzgjedhëses kanë treguar një paraqitje solide dhe progres të qartë në përgatitjet e tyre për sfidat e ardhshme zyrtare.

Etiketat

Ofertat e fundit