Ilir Daja pas kualifikimit në fazën e grupeve: Merita u takon lojtarëve, suksesin e ndajmë me gjithë Kosovën
Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka shkruar historinë në futbollin kosovar. Skuadra portokallezi ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin në këtë nivel të garave evropiane. Ballkani, të enjten në mbrëmje, në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në…
Kampioni në fuqi i Kosovës, FC Ballkani ka shkruar historinë në futbollin kosovar. Skuadra portokallezi ka arritur të kualifikohet në fazën e grupeve në UEFA Conference League, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin në këtë nivel të garave evropiane.
Ballkani, të enjten në mbrëmje, në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë e ka mposhtur kampionin e Maqedonisë së Veriut, klubin shqiptar, FC Shkupi, me rezultat 1:0. Kësisoj, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja është kualifikuar tutje me rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve, 3:1.
Këtë sukses suharekasit e arritën qysh në debutimin e tyre në garat evropiane.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se meritat u takojnë gjithë lojtarëve për suksesin e arritur.
“Çelësi i suksesit është bashkëpunimi. Presidenti i klubit bëri që të kemi një ekip të tillë. Ballkani ishte debutues. Lojtarët debutuan, por është një grup me cilësi dhe element të rëndësishëm. Janë djem të mirë brenda dhe jashtë fushës. Si trajner jam ‘i bezdisshëm’, me ngarkesa dhe në pjesën e videove. Ata nuk u mërzitën”.
“I gjithë suksesi shkon për ta. E ndaj këtë sukses me gjithë Suharekën dhe gjithë Kosovën sepse dolëm përtej qytetit. Përfaqësuam gjithë futbollin e Kosovës. Falënderoj tifozët tanë dhe të ekipit mysafir sepse na pritën shumë mirë atje.
Kartoni e ndryshoi rrjedhën e lojës sepse Shkupi do të sulmonte me gjitha forcat pas fitores që e arritëm në Shkup”.
“Dalja me karton të kuq na lehtësoi punën. U treguam të mençur dhe të duruar. E pamë që Shkupi tërhiqej prapa dhe tentonte nëpërmjet kundërsulmeve të na sulmonte. Ne mundoheshim të kishim topin në qarkullim dhe të dominonim fizikisht.
Besoj që asnjë ekip nuk na ka dominuar në Prishtinë, qoftë Zalgirisi apo Klaksviku, si dhe La Fiorita”, ka thënë trajneri Daja.