Igball Jashari shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

03.11.2025

Futbollisti i Drenicës, Igball Jashari, është shpallur “Ylli i Javës” në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Ky vlerësim i rëndësishëm u nda nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në bashkëpunim me sponsorin zyrtar, Albi Mall.

Jashari u dallua për paraqitjen e tij mbresëlënëse në ndeshjen e fundit, duke qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës për 80 minutat vendimtare të takimit.
Vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enver Prapashticës, Besim Slishanit dhe Bujar Asllanit, të cilët e cilësuan performancën e tij si vendimtare për rezultatin pozitiv të Drenicës.

Pas marrjes së çmimit, Jashari u shpreh i lumtur dhe falënderues për vlerësimin, duke theksuar se ekipi po kalon një periudhë të mirë formash.

“Ndeshjen e kemi përgatitur mirë, edhe pse kemi pasur një orar shumë të ngjeshur. Gjatë javës kemi zhvilluar dy ndeshje, nga të cilat kemi arkëtuar 4 pikë që janë shumë të nevojshme për ekipin tonë. Nga boshti i ekipit të vitit të kaluar kemi qenë vetëm 5 lojtarë, dhe ka qenë e vështirë në fillim komponimi i ekipit, por duket se e kemi gjetur formën tonë dhe tashmë jemi mirë,” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Jashari shtoi se ky çmim është një motivim shtesë për të vazhduar me përkushtim maksimal:

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe marrëdhëniet me trajnerin i kemi shumë të mira. Për mua është privilegj të shpallem lojtari më i mirë i javës, dhe kjo do të jetë një shtytje që të punoj akoma edhe më shumë.”

Ky është një tjetër sukses për Drenicën, që po synon të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive në elitën e futbollit kosovar, ndërsa Jashari po konfirmon rolin e tij si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.