Betim Haxhimusa shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e tetëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky vlerësim i është ndarë futbollistit të FC Ferizajt, Betim Haxhimusa, i cili shkëlqeu me një paraqitje të jashtëzakonshme individuale në fitoren e skuadrës së tij ndaj KF Llapit. Haxhimusa shënoi dy gola vendimtarë, duke i siguruar Ferizajt tri pikë të rëndësishme në ndeshjen që përfundoi me rezultat 2:1.
Vlerësimi për “Yllin e Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili ka vlerësuar kontributin dhe ndikimin e futbollistit në rezultatin final të ndeshjes.
Pas pranimit të çmimit, Haxhimusa u shpreh i lumtur për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e fitores për ekipin e tij.
“E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, duke u fokusuar në pikat e forta të KF Llapit. Ky ka qenë një rezultat shumë i nevojshëm për ne, pasi vinim nga një seri negative. Me trajnerin e ri dhe filozofinë e tij jemi përshtatur dhe besoj që në stinorin e ri do të kemi vetëm rezultate pozitive,” u shpreh ai.
Në fund, Haxhimusa falënderoi bashkëlojtarët, stafin teknik dhe familjen për përkrahjen e vazhdueshme.
“Është kënaqësi e madhe të shpallem më i miri i xhiros së 18-të. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, komisionin që më përzgjodhi dhe familjen time për përkrahjen,” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.