Daja: Goli i dytë do të ishte goli i nokautit për kundërshtarin

14.10.2022

Kampioni i Kosovës, FC Ballkani, ka pësuar humbje në përballje me skuadrën turke, Sivasspor, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 1:2, në kuadër të Grupit G në UEFA Conference League. Portokallezinjtë patën një paraqitje të shkëlqyeshme në pjesën e parë, por më pas në 45 minutat e dytë u vërejt rënie […]

Daja: Goli i dytë do të ishte goli i nokautit për kundërshtarin Foto: Ilustrim

Kampioni i Kosovës, FC Ballkani, ka pësuar humbje në përballje me skuadrën turke, Sivasspor, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 1:2, në kuadër të Grupit G në UEFA Conference League.

Portokallezinjtë patën një paraqitje të shkëlqyeshme në pjesën e parë, por më pas në 45 minutat e dytë u vërejt rënie në lojën e skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja, por edhe shpërdorim i disa rasteve të pastra shënimi. Ballkani e pati përkrahjen e madhe të tifozëve, të cilët kishin mbushur përplot stadiumin, ndonëse gjatë tërë ndeshjes pati reshje shiu.

Kampionët tanë kaluan në epërsi në minutën e 36-të, kur Armend Thaqi shënoi me gjuajtje nga distanca, derisa në këtë pjesë pati edhe dy disa mundësi shënimi. Raste të mira shënimi skuadra e Dajës pati edhe në fillim të pjesës së dytë, por Ermal Krasniqi shpërdoroi një mundësi të artë përballë portierit të skuadrës turke. Më pas gjithçka kaloi në shenjë të skuadrës turke, e cila përmbysi rezultatin me golat e Hakan Arsnal, në minutën e 72-të dhe Karol Angielski, në minutën e 81-të.

Në intervistën pas ndeshjes trajneri, Ilir Daja theksoi se po të shënohej goli i dytë para se të realizonin skuadra turke, atëherë do të ishte nokaut për ata.

”Kemi bërë pjesë të parë të nivelit të mirë kemi pasur disa raste ajo që duhej të bënim ishte finalizimi për ti dhënë qetësi ekipit. Ajo çfarë do të na mbante sonte në lojë do të ishte kalimi sa më shpejtë në golin e dytë sepse do të ishte goli i nokautit për kundërshtarin,” tha ai për ArtSport.

Ndryshe, Ballkani mbetet në kuotën e katër pikëve në grup dhe tani nga pozita e parë ka kaluar në pozitën e fundit. Pikë të njëjta ka edhe Slavia, derisa Sivasspori kryeson tashmë me 7 pikë, sa ka edhe skuadra rumune, Cluj. Ndeshjen e radhës Ballkani e zhvillon më 27 tetor kundër Slavia Pragës.