Ballkani merr vendim për Ilir Dajën, ia zgjat kontratën deri më 2026

26.02.2024

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani ka njoftuar se ka zgjatur marrëveshjen me trajnerin shqiptar Ilir Daja, deri në vitin 2026.

Ballkani merr vendim për Ilir Dajën, ia zgjat kontratën deri më 2026 Foto: Ilustrim

Ballkani nuk është duke kaluar në momentet më të mira xhirot e fundit, duke zgjuar kështu zërat për një largim të mundshëm të teknikut shqiptar, mirëpo klubi tashmë ka bërë të ditur marrëveshjen e re.

“Zonja dhe zotrinjë, tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar, Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026. Bashkë kemi nisur t’u shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë”, thuhet në njoftimin e klubit.

Në 10 xhirot e fundit Ballkani ka vetëm dy fitore. Ata ndodhen në pozitën e parë në tabelën e Superligës, me një pikë më shumë se Llapi që mban pozitën e dytë, e dy më shumë se Drita që ndodhet në pozitën e tretë.