Nga 1 euro në 1.50: Kafeja merr “shije” shtrenjtërimi pas rritjes së energjisë
Dikur, mjaftonte një monedhë e vetme 1 euroshe për t’u ulur në një kafene të qetë, për të porositur një kafe të ngrohtë dhe për të shijuar një moment relaksi. Por, siç duket, kjo rutinë e thjeshtë po shkon drejt një ndryshimi të ndjeshëm.
Nga data 1 maj, adhuruesit e kafesë pritet të paguajnë 1 euro e 50 cent për të njëjtin shërbim. Një zinxhir pasojash i shkaktuar nga vendimi i Zyrës Rregullatore për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Naim Llapashtica, menaxher i një kafiterieje, shprehet i shqetësuar për RTV21: “Nuk është hera e parë që po shtrenjtohet rryma me këtë qeveri, dhe tashmë tarifa është goxha e lartë. Tek ne bizneset do të ndikojë shumë, ka mundësi që disa edhe do të shuhen sepse nuk mund të përballojnë. Rritja e çmimit të energjisë sigurisht që do të reflektojë edhe në rritjen e çmimeve të menyve tona. Për shembull, kafeja nga 1 euro tek ne do të shtrenjtohet në 1.50 cent.”
Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka shkaktuar reagime të shumta negative prej gati tre muajsh nga qytetarët, bizneset, organizatat joqeveritare dhe madje edhe nga vetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Për të shprehur pakënaqësinë, janë organizuar tri protesta, por zëri i tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, lëshon akuza të forta ndaj pushtetarëve, duke i cilësuar si shkaktarë të kësaj situate. “Vetë janë shkaktarë të kësaj situate dhe s’kanë çfarë të flasin më pasi vetë e kanë pru punën që ne të blejmë energji. Sikur të ishte kohë fushate, besoj se zëri i qeverisë në detyrë do të ndihej karshi kësaj situate, por tash s’kanë nevojë më për votën e qytetarëve”, u shpreh Shatri.
Kërkesa për shtrenjtimin e energjisë elektrike kishte nisur që në muajin shkurt, kur kompanitë për shpërndarje dhe furnizim me energji, KOST, KEDS dhe KESCO, dërguan në Zyrën e Rregullatorit për Energji një kërkesë për ndryshim të tarifave. Kjo kërkesë u vlerësua nga ZRrE, e cila parashikon një rritje mesatare të tarifave prej rreth 16%.
Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset presin me ankth datën 1 maj, kur rutina e tyre e thjeshtë e kafesë do të ketë një kosto më të lartë, duke simbolizuar kështu ndikimin e drejtpërdrejtë të vendimeve energjetike në jetën e përditshme.