LVV
PDK
LDK
AAK

Dhuna në familje: Mbi 2300 raste të raportuara gjatë 2024

para 33 dite

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, shtatë vajza dhe gra iu drejtuan stacioneve policore në Kosovë për të raportuar dhunën në familje, e cila, sipas Policisë së Kosovës, ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe është ushtruar nga meshkuj.

Dhuna në familje: Mbi 2300 raste të raportuara gjatë 2024

Në lidhje me këto raste, policia ka arrestuar tre persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Për të tjerët, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rastet janë proceduar në procedurë të rregullt.

Sipas raportit të policisë, rastet janë regjistruar në disa qytete të Kosovës: dy në Prishtinë, dy në Fushë-Kosovë, një në Klinë, një në Rahovec dhe një në Gjakovë. Viktimat e të gjitha këtyre rasteve janë gra dhe vajza, duke ngritur shqetësimin për përmasat e fenomenit të dhunës në familje.

Sociologia kërkon politika më të forta për mbrojtjen e viktimave

Sociologia Flaka Ymeri vlerëson se është jetike që institucionet të hartojnë dhe zbatojnë politika efektive për të trajtuar dhe parandaluar dhunën në familje. Ajo thekson rëndësinë e trajtimit të veçantë të viktimave dhe ofrimin e mbështetjes për t’i ndihmuar ato të mos rikthehen tek dhunuesit.

“Kjo temë tashmë është e njohur për shoqërinë tonë. Çdo rast në rritje është shqetësues për vendin dhe shoqërinë. Politikat e mirëhartuara na e bëjnë punën më të lehtë në trajtimin e traumave të personave që kanë përjetuar dhunë, qoftë psiqike apo fizike. Institucionet duhet t’u ofrojnë strehim, pavarësi dhe punësim, që viktimat të mos kthehen tek dhunuesit,” theksoi Ymeri.

Ajo paralajmëron për pasoja të rënda kur viktima dhe dhunuesi ndajnë të njëjtën hapësirë dhe bën thirrje për veprime më konkrete për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.

Rritje alarmante e rasteve të dhunës në familje

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë një rritje të rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2024. Gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2300 raste, një shifër që ka shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin 2023.

Fenomeni mbetet një shqetësim i madh për shoqërinë dhe kërkon angazhimin e institucioneve për të ndërmarrë masa konkrete, duke përfshirë politika mbrojtëse dhe rehabilituese për viktimat dhe ndjekje penale të dhunuesve.

Etiketat

Ofertat e fundit