Ja çfarë i shkakton alkooli zemrës

24.01.2020

Konsumimi i një ose dy gotave me pije alkoolike në ditë mund të jetë e shëndetshme, sa kohë nuk keni probleme me zemrën. Kjo teori është mbështetur nga më shumë se 100 studime, të cilat tregojnë se njerëzit që pinë në mënyrë të moderuar kanë më pak rrezik të preken nga sëmundjet e zemrës apo […]

Ja çfarë i shkakton alkooli zemrës Foto: Ilustrim

Konsumimi i një ose dy gotave me pije alkoolike në ditë mund të jetë e shëndetshme, sa kohë nuk keni probleme me zemrën.

Kjo teori është mbështetur nga më shumë se 100 studime, të cilat tregojnë se njerëzit që pinë në mënyrë të moderuar kanë më pak rrezik të preken nga sëmundjet e zemrës apo të vdesin prej tyre.

Por, rol kyç këtu luan konsumimi i alkoolit në mënyrë të moderuar. Alkooli mund të jetë si tonik ashtu edhe toksik, duke qenë se konsumimi i tepërt i tij mund të çojë në probleme me mëlçinë dhe çrregullime të tjera psikologjike dhe të sjelljes, që dëmtojnë shëndetin. Në studimin e fundit, të prezantuar gjatë konferencës së organizuar nga Shoqata Amerikane e Zemrës, në Nju Orleans, hulumtuesit shkencorë zbuluan një mënyrë që alkooli mund të jetë i mirë për zemrën – duke mbajtur të larta nivelet e kolesterolit të mirë.

Në studim u përfshinë më shumë se 80 mijë të rritur kinezë, të shëndetshëm, të cilët iu përgjigjën pyetjeve rreth konsumimit të alkoolit dhe kryen katër herë analiza gjaku gjatë studimit 6-vjeçar, kështu hulumtuesit shkencorë mund të masnin nivelet e kolesterolit HDL, si dhe mund të monitoronin funksionin e mëlçisë dhe shënjuesit e inflamacionit.

Ata që treguan se pinin alkool në sasi të moderuar – një gotë në ditë për gratë dhe dy për burrat – kishin rënie më të vogël të kolesterolit të mirë HDL.

Me kalimin e moshës, nivelet e kolesterolit të mirë zakonisht fillojnë të bien, por tek këta njerëz si duket konsumimi i alkoolit në mënyrë të moderuar e kishte ngadalësuar këtë proces.

Ndërsa tek personat që nuk e konsumonin fare alkoolin apo ata që e tepronin me të, nuk kishte ndodhur e njëjta gjë me nivelet e kolesterolit.

Dr. Eric Rimm, drejtues i epidemiologjisë kardiovaskulare te Shëndeti Publik i Shkollës T. H. Chan të Harvardit, thotë se njerëzit që pinë alkool në mënyrë të moderuar kanë nivele më të larta të kolesterolit të mirë HDL se ata që nuk konsumojnë alkool apo ata që e teprojnë. HDL është e rëndësishme për shëndetin e zemrës, duke qenë se pengon formimin e kolesterolit të keq LDL brenda mureve të enëve të gjakut, që çon në formimin e pllakës bakteriale dhe mund të shkaktojë sulm në zemër.

Në fakt, hulumtuesit shkencorë sugjerojnë se konsumimi i një ose dy gotave në ditë me pije alkoolike mund të ulë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve në zemër po aq sa humbja e rreth 13 kg nëpërmjet dietës ushqimore dhe ushtrimeve. Megjithatë, thotë dr.  Eric Rimm, hezitoj ta bëj këtë krahasim, duke qenë se rënia në peshë është më shumë e rëndësishme për arsye të tjera shëndetësore, si ulja e rrezikut për zhvillimin e kancerit, diabetit dhe sëmundjeve të tjera kronike.