Publikohet renditja e shteteve të natës finale të Eurovision – Gjon Muharremaj këndon i 11-ti

22.05.2021

Sonte (e shtunë) do të mbahet nata finale e Eurovision 2021. Plot 26 artistë nga 26 shtete të ndryshem do të ngjiten në skenën e madhe të festivalit evropian, që këtë vit po mbahet në “Ahoy Arena”, në Rotterdam të Holandës. Finalja e këtij viti organizohet me prezencën e dy shqiptarëve: Anxhela Peristerit, e cila […]

Publikohet renditja e shteteve të natës finale të Eurovision – Gjon Muharremaj këndon i 11-ti Foto: Ilustrim

Sonte (e shtunë) do të mbahet nata finale e Eurovision 2021.

Plot 26 artistë nga 26 shtete të ndryshem do të ngjiten në skenën e madhe të festivalit evropian, që këtë vit po mbahet në “Ahoy Arena”, në Rotterdam të Holandës.

Finalja e këtij viti organizohet me prezencën e dy shqiptarëve: Anxhela Peristerit, e cila përfaqëson Shqipërinë, dhe Gjon Muharremajt (Gjon’S Tears), i cili përfaqëson shtetin e Zvicrës.

Të dy këngëtarët me origjinë shqiptare kënduan në natën e dytë gjysmëfinale të enjten, ku falë interpretimit fantastik, arritën që ta kualifikojnë secili shtetin e tyre reprezentues në finale.

Tani, Eurovision ka publikuar listën e plotë të 26 shteteve përkatëse me numrin rendor të paraqitjes, që njëherësh paraqet edhe numrin me të cilin ata do të votohen nga publiku.

Anxhela Peristeri do të interpretojë këngën e saj “Karma” e dyta në renditje, dhe mban kodin “02” për të gjithë ata që duan të votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Shqipërinë), raporton Telegrafi.

Ndërkohë, Gjon Muharremaj i cili konkurron me këngën “Tout l’Univers” do të ngjitet në skenë i njëmbëdhjeti, dhe si rrjedhojë mban kodin “11” për të ata që duan ta votojnë (mund të votohet nga shqiptarët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse në Eurovision, me përjashtim Zvicrën).

Renditja e shteteve që do të prezantohen në finalen e “Eurovision 2021” (Foto: Eurovision/Instagram)

Në natën e sotme finale ishte parashikuar që të këndonte live edhe fituesi i Eurovisionit të kaluar, Duncan Laurence, por që për shkak të infektimit të tij me virusin COVID-19, do të jetë i detyruar që performancën ta realizojë nga shtëpia. /Telegrafi/