Aktakuzë për Krime Lufte ndaj Tre Personave, Dyshohet për Vrasjen e 14 Civilëve në Pejë

21.03.2025

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, dy serbë dhe një boshnjak, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen për vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim të civilëve shqiptarë në zonën e Pejës.

Hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se të pandehurit, në cilësinë e pjesëtarëve rezervë të Policisë në Stacionin Policor të Pejës, në bashkëpunim me forcat policore serbe, kanë kryer krime të rënda në fshatin Ozdrim dhe rrethinat e Pejës. Konkretisht, ata dyshohen për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë, të cilët nuk ishin pjesë e konfliktit të armatosur.

“Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit si pjesëtarë rezervë të Policisë të Stacionit Policor në Pejë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, kanë kryer vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë, me ç ‘rast u vranë (14) civil të nacionalitet shqiptar,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Për shkak se të pandehurit ndodhen në arrati, Prokuroria Speciale ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës. Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve për të siguruar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer krime të tilla.