10 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve për transportim e shitje të narkotikëve

13.10.2025

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykimi ndaj Mexhaid Qerimit, Fehmi Mustafës dhe Gjulin Radojës, duke i shpallur fajtorë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Tre të akuzuarit u dënuan (së bashku) me 10 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues me kryetar gjykatësin Lutfi Shala dhe anëtarë: Kujtim Krasniqi dhe Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit, të akuzuarit Qerimi dhe Mustafa u dënuan me nga 4 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë. Kurse, Radoja me 2 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Qerimi u lirua nga akuza për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, pasi sipas Gjykatës kjo vepër penale konsumohet në veprë penale nga neni 267, për çka edhe u dënua me burgim ky i akuzuar.

Gjykata tha se të akuzuarit në rast se nuk kanë mundësi të paguajnë dënimin  me gjobë, iu zëvendësohet me burgim- ku për një ditë burgimi iu llogaritet 20 euro nga dënimi me gjobë.

Gjithashtu, sipas vendimit, narkotiku i sekuestruar, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dërgohet për shkatërrim.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi që të pranojnë vendimin në formë të shkruar.