Rrahje mes të miturve në Klinë: 8 të përfshirë, dy të lënduar me thikë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka raportuar për një rrahje që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:45 në fshatin Ujmir të Klinës.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka identifikuar 8 persona të përfshirë në incident. Sipas raportimeve, të dyshuarit janë dërguar nga familjarët e tyre në emergjencë për trajtim mjekësor.
Dy prej tyre, të cilët kishin pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë (thikë), fillimisht u dërguan në spitalin rajonal të Pejës, ndërsa më pas u transferuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.
Pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit, 6 nga të dyshuarit, të cilët janë të mitur, janë ndaluar për 24 orë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.