Policia në Prizren kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për “Sulm”

18.07.2025

Policia Rajonale e Prizrenit ka njoftuar se është në kërkim të një personi të dyshuar për veprën penale “Sulm”, lidhur me një incident të ndodhur më 25 prill 2022, rreth orës 09:00, në afërsi të Qendrës Tregtare “Interex” në Prizren.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i dyshuari – një person i rritur, ende i paidentifikuar – dyshohet se e ka ngacmuar dhe sulmuar një të mitur me inicialet D.O. në atë lokacion. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur momentet e incidentit, nga të cilat është siguruar edhe fotografia e të dyshuarit, mirëpo deri më tani nuk është arritur identifikimi i tij.

Për ndriçimin e plotë të rastit, Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar autorizim për publikimin e fotografisë së të dyshuarit në mediume televizive dhe rrjete sociale, në përputhje me nenin 76, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).

Policia e Kosovës apelon te qytetarët për bashkëpunim dhe kërkon që kushdo që ka informata lidhur me identitetin apo vendndodhjen e të dyshuarit të paraqitet në mënyrë konfidenciale përmes numrit 192, përmes rrjeteve sociale apo në cilindo stacion policor në vend.

“Çdo informacion mund të jetë vendimtar për zbardhjen e këtij rasti dhe ndihmon në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.