Policia gjen një tjetër armë pa leje në Krushë të Vogël, një 46-vjeçar në hetim
Një tjetër rast i posedimit të paautorizuar të armëve është zbuluar ditën e djeshme në fshatin Krushë e Vogël të komunës së Prizrenit, si rezultat i një aksioni të ndërmarrë nga Policia e Kosovës bazuar në informata operative.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 08:00 të mëngjesit, njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të dyshuarit P.Sh, rreth 46 vjeç.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, e cila është marrë si provë materiale në kuadër të hetimeve.
Pas konsultimeve me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetuesit po vazhdojnë punën për të verifikuar nëse arma e sekuestruar është përdorur në ndonjë rast tjetër penal.
Policia e Kosovës thekson se lufta kundër armëmbajtjes pa leje mbetet prioritet, duke u bazuar në informacionet që vijnë nga tereni dhe bashkëpunimi me qytetarët.