Arrestohet një person për sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje

para 7 dite

Një incident i rëndë është raportuar gjatë mbrëmjes së kaluar në Kaçanik, ku një person ka sulmuar zyrtarët policorë gjatë një tentative arrestimi.

Arrestohet një person për sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje

Rasti ka ndodhur rreth orës 23:00 në rrugën “Vëllezërit Çaka”.

Sipas Policisë, derisa njësitet e rendit dhe hetuesit rajonalë po vepronin për arrestimin e një personi të dyshuar, ky i fundit ka kundërshtuar urdhrin dhe ka sulmuar fizikisht policët me shqelma në pjesën e këmbëve.

Menjëherë pas incidentit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik. Gjatë intervistimit, të zhvilluar në prani të avokatit mbrojtës, ai ka pranuar veprën penale për të cilën ngarkohet. Po ashtu, ai ka konfirmuar se posedonte dy thika që janë gjetur nga policia në veturën e tij.

Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit B.M., 21 vjeç, për një periudhë prej 48 orësh, ndërsa hetuesit rajonalë janë autorizuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore.

Policia ka konfirmuar se zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetën. Rasti po trajtohet si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe pritet të procedohet më tej në organet e drejtësisë.

Etiketat

Ofertat e fundit