Atletico Madrid i jep fund serisë së fitoreve të Realit me triumf bindës 5-2
Seria e fitoreve të Real Madridit në këtë sezon ka marrë fund pas shtatë triumfeve radhazi në të gjitha garat. Në derbin e zjarrtë të kryeqytetit spanjoll, skuadra e Xabi Alonsos u mposht me rezultat të thellë 5-2 nga Atletico Madrid, në ndeshjen e zhvilluar në “Estadio Metropolitano”.
Atletico e nisi fuqishëm sfidën, duke kaluar në epërsi në minutën e 14-të me golin e Robin Le Normand. Real reagoi shpejt dhe përmbysi rezultatin me dy gola – fillimisht nga Kylian Mbappé, e më pas nga Arda Güler. Megjithatë, në shtesën e pjesës së parë, Alexander Sorloth riktheu barazpeshën me golin e dytë për vendasit.
Në pjesën e dytë, skuadra e Diego Simeones dominoi plotësisht. Julian Álvarez u shndërrua në protagonist duke shënuar dy herë – së pari nga penalltia, e më pas me një goditje të lirë të saktë, duke i dhënë Atleticos epërsinë 4-2. Në minutat e fundit, Antoine Griezmann vulosi fitoren e madhe me golin e pestë.
Me këtë fitore, Atletico Madrid merr frymëmarrje pas një fillimi të vështirë sezoni dhe rikthehet fuqishëm në garë. Nga ana tjetër, Real Madrid mbetet në krye të tabelës, por rrezikon të humbasë vendin e parë nëse Barcelona arrin të fitojë ndeshjen e saj.