Lirohen policët e ndaluar në Serbi, përveç zv.drejtorit Dejan Jankoviq

17.04.2024

Disa autobusë të Kosovës të cilët janë nisur për në shtetet e Evropës janë ndaluar në pikë kalimin kufitar “Batrovci”, Serbi-Kroaci.

Lirohen policët e ndaluar në Serbi, përveç zv.drejtorit Dejan Jankoviq Foto: Ilustrim

lajm në zhvillim

13:27 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë thirrje Serbisë për lirimin e menjehershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq i cili po mbahet në burg në Serbi.
“Serbia kërkon tensione, sepse nuk i konvenon normaliteti, nomraliteti nënkupton paqe siguri e qetësi në rajon  aq më shumë që ka paqe e siguri në rajon aq më e parëndësishme bëhet Serbia andaj vepron gjithnjë në drejjtim të kundërt”, ka deklaruar Kurti.

13:23 Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim për 48 orë nga autoritetet e Serbisë.
“Gjatë ditës së djeshme është ndaluar edhe zëvendësdrejtori i PK-së, Dejan Jankoviq. Dhjetë pjesëtarë të policisë janë ndaluar pesë janë liruar mbrëmë kurse 4 sot, dhe zv.drejtori vazhdon të jetë i arrestuar. Ai është dërguar dje në Rashkë për tu marrë në pyetje . Sipas informatave të fundit ai është dërguar në paraburgim 48 orësh me akuzën për prishje të rendit kushtetues”, ka thënë Sveçla.

11:45 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

05:28 Osmani për bllokimin e udhëtarëve nga Serbia: Njeriu përgjegjës për këtë është Vuçiq
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas bllokimit të udhëtarëve nga Serbia në pikat kufitare.

Ajo ka thënë se Serbia po hakmerret pas votimit të mbrëmshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Personi përgjegjës për këtë, Osmani thotë se është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo i ka bërë thirrje partnerëve për veprim të shpejtë.

“Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit të Këshillit të Evropës në APKE, duke mbajtur shumë pengje në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi.

Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq. Ashtu siç bëra gjatë gjithë ditës, u bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

05:14 Rohde reagon për bllokimin e kosovarëve në kufi

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar rreth bllokimit të 15 autobusëve me targa të Kosovës në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.

Ai e ka mbështetur deklaratën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila bëri thirrje që Serbia t’i lejojë kosovarët ta kalojnë kufirin Serbi – Kroaci.

03:19 Lirohen kosovarët e ndaluar mbrëmë nga policia serbe.

Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci-Serbi.

12 autobusët e ndaluar u nisën për Kosovë dhe ndalimi i tyre u bë në shenje proteste ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar.

Në mesin e të ndaluarve kishte fëmijë e pleq të cilët së fundi kishin mbetur edhe pa ushqime.

03:12 Serbia po i ndalon edhe shqiptarë e Luginës, reagon Shaip Kamberi: Mirë se vini në të 90-t!

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar se Serbia po ndalon dhe maltreton edhe civilët shqiptarë tek “Dheu i Bardhë”.

Kamberi e ka quajtur këtë veprim si përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Mirë se vini në të 90-t
Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evrpaian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për “procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues”.
Të rinj shqiptarë nga Bujanoci, po ndalhen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim. Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë.
Serbia, sot, po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cenon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut “qarkulimin e lirë”.
Këto masa po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE.
Ndalesat nëpër kufi, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti “pretendent për BE” shkruan Kamberi në reagim.

02:47 Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka reaguar sot pasi Serbia ka ndaluar autobusë dhe vetura me shtetas të Kosovë në pikëkalimet kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë, një ditë pasi Asambleja Parlamentare i dha dritën jeshile Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Kryeministri Kurti në një postim në Twitter shkruan se Serbia po hakmerret kundër civilëve të Kosovës dhe se mbi 300 qytetarë, duke përfshirë edhe fëmijë po mbahen arbitrarisht në kufi të privuar nga ushqimi.

“Një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës, Serbia hakmerret kundër civilëve të Kosovës… Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 qytetarë tanë, përfshirë fëmijët janë mbajtur arbitrarisht në kufi, janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi.

Një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut!”, shkruan Kurti. 

02:25 Lojërat e policisë serbe në kufi, iu thonë kompanive të vazhdojnë udhëtimin pa udhëtarët të cilët i kanë ndalë për verifikim.

Autobusë nga Kosova, me qindra udhëtarë, kanë mbetur të bllokuar që nga mbrëmë në kufirin Serbi-Kroaci, meqë janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

01:35 Një udhëtari nga Kosova i keqësohet gjendja në kufirin Kroaci-Serbi, niset për në spitalin e Beogradit

Një udhëtari të Kosovës që ishte duke dashur të udhëtojë për në Serbi i është përkeqësuar gjendja në kufirin Kroaci – Serbi pas disa orë pritje.

Lajmin e ka konfirmuar një nga udhëtaret, Imrane Raka, që ishte në autobus me të.
“Nuk e di se çka pat. Ishte një udhëtar, ia dhanë ndihmën e parë këtu dhe nuk dimë më shumë për të, e kanë dërguar për në Beograd”, tha ajo.

Më tej, Raka tha se në kufirin Kroaci – Serbi janë duke pritur që nga ora 06:30 e mëngjesit, ndërsa tha se ka udhëtarë nga Kosova të cilët po presin prej orës 22:00.

12:18 Kosova njofton QUINT’in për bllokimin e kosovarëve në kufirin serb – Ministria jep detaje të reja për situatën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një njoftim të ri sa i përket bllokimit të autobusëve nga Serbia në kufirin me Kroacinë.

“Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.”

MPJD ka thënë se qytetarë kosovarë janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë.
“Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.”

MPJD sërish ka bërë apel që ta evitojnë kalimin nëpër Serbi.

11:59 Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari Lila, ka reaguar pas bllokimit të autobusëve në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
Ajo ka thënë se Serbia duhet të ballafaqohet me përjashtim, njëjtë sikur Rusia.

Veprimet e tilla, Kusari Lila thotë se rrezikojnë jetë dhe dëmtojnë qytetarë të pafajshëm.

“Dje, përfaqësuesit serbë në KiE kërcënuan se do të tërhiqen nëse Kosova anëtarësohet. Serbia duhet të ballafaqohet me përjashtim, njëjtë sikur Rusia. Veprimet e tilla si bllokimi i 300 udhëtarëve në kufirin mes Serbisë e Kroacisë që nga mëngjesi i hershëm rrezikon jetë dhe dëmton qytetarë të pafajshëm.”

11:02 Përmes një njoftimi këto dy institucione kanë kërkuar nga qytetarët që të ndjekim me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.

MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja.

Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni Policinë e Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.

E njëri nga këto autobusë është edhe i Valdet Hoxhës i cili është pronar i Kompanisë “Teuta Tours”, i cili është nisur nga Kosova për në Slloveni.

Ai në një deklaratë për Telegrafin ka treguar se që nga ora 23:00 e mbrëmjes së kaluar janë duke pritur në këtë pikë kalim kufitar pa asnjë arsye të dhënë nga autoritetet serbe.

“Po presim në pikëkalimin kufitar Batrovc, na i kanë marr dokumentet e tash po presim. Prej orës 22:30 mbrëmë natën jemi duke prit këtu. Shkojmë pyesim, por nuk na japin shpjegim. Na thonë që ju ka ardh urdhër prej naltit, duhet me prit çka po thonë. Jemi 30 pasagjerë në autobusë tonin.

Këtu jemi diku 10 autobusë që jemi duke shku për Slloveni, Gjermani e Itali. Edhe nga ana e Kroacisë dhe Serbisë ka autobusë që janë të bllokuar. Edhe makina nuk po i lëshojnë, të cilat janë me targa të Gjermanisë e je me dokument të Kosovës nuk po lejojnë me kalu, disa udhëtarë i kanë ndal. Kështu mirë po sillen nuk është që po na bëjnë diçka. Vetëm po thonë kemi urdhër…”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, edhe sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka bërë të ditur se në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës.