Kurti prezanton planin e reformave për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës, përfshihen pesë fusha kryesore

02.05.2024

Në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, është diskutuar Agjenda e reformave në kuadër të planit të BE-së për rritje 2024-2027.

Kurti prezanton planin e reformave për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës, përfshihen pesë fusha kryesore Foto: Ilustrim

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në kuadër të kësaj agjende Kosova është ftuar të prezantoj agjendën e reformave që fokusohet në masa socio-ekonomike që stimulojnë zhvillimin dhe konvergjencën me BE-në.

“Ekipi i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë ka qenë i angazhuar në hartimin e kësaj agjende. Puna ka vazhduar me shumë intensitet ku pas disa muaj negociata me Komisionin Evropian janë identifikuar rreth 30 reforma dhe mbi 100 aktivitete konkrete të shpërndara në pesë fusha”, tha Kurti.

Kurti përmendi se këto fusha janë:  Qeverisja – reforma e administratës publike dhe menaxhimi i financave publike, Tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, Zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi afarist, Kapitali njerëzor dhe Bazat e anëtarësimit në BE, përkatësisht sundimi i ligjit.

“Kjo agjendë gjithëpërfshirëse reformash synon të reformoj më tej administratën publike dhe të avancoj menaxhimin e financave publike. Ajo vendos një fokus te veçantë në agjendën e gjelbër dhe digjitalizimin. Në fushën e sektorit privat kemi paraparë veprime që rrisin investimet dhe eksportet dhe masat që mundësojnë më tej qasjen në financa. Synon të siguroj arsim cilësor në të gjitha nivelet. Do të luftoj më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se fondet nga plani evropian i rritjes për Kosovën do të jenë shtesë krahas atyre nga IPA, ku nga gjithsejtë rreth 950 milionë euro gjysma do të shkoj në buxhet për zbatimin e reformave ndërsa gjysma tjetër në projekte investive.

Kurti tha se konsultimet publike për këtë agjendë tashmë kanë filluar dhe do të vazhdojnë edhe gjatë javëve në vijim.