Përleshje me armë zjarri në Gjakovë, pesë persona arrestohen – njëri përfundon në spital
Një përleshje e rëndë fizike mes pesë personave, përfshirë tre me nënshtetësi gjermane, ka ndodhur pasditen e së hënës në qytetin e Gjakovës.
Ngjarja ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit, nga e cila një person ka mbetur i plagosur.
Viktima e plagosur është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gjakovës, ndërsa Policia e Kosovës ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të gjithë të përfshirët në rast.
Nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar një armë zjarri, një karikator me katër fishekë dhe një gëzhojë. Pas intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit, një nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa katër të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë” dhe “pjesëmarrje në rrahje”, dhe po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.