Bleu 400 kg drogë në Shqipëri dhe i shiti në Kosovë, një muaj paraburgim për burrin nga Prizreni
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 03.10.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 03.11.2021, ndaj të pandehurit S.T., për shkak të dyshimit të bazuar se ka […]
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 03.10.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 03.11.2021, ndaj të pandehurit S.T., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:
– Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, nga neni 267 paragrafi 1,
– Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit, nga neni 272 paragrafi 1 dhe 2, dhe
– Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.T., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:-I pandehuri S.T., nga data e pavërtetuar e deri më tani, pa autorizim shpërndan, shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon në transit, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri, blen substanca narkotike të llojit “mariuhanë”, në sasi të mëdha rreth 400 kg në javë, nga disa persona nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e sjell në Republikën e Kosovës, përmes rrugëve ilegale, ku më pas e shet në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, i pandehuri S.T., me datë të pacaktuar deri më datë 03.10.2021, në periudhën kohore 18:10-22:00 në vend të fshehtë afër Prizren rreth lumit Drini i Bardhë, i pandehuri pa autorizim kultivon bimë “kanabis sativa” si dhe pas kontrollimit të shtëpisë dhe bastisjes së shtëpisë së tij në kulm është gjetur se i njëjti posedon substanca psikotrope të dyshuar si i llojit “marihuanë” me qëllim të shitjes.
Gjithashtu, me datë 03.10.2021, gjatë një bastisje në shtëpinë e të pandehurit i njëjti mban në pronësi dy (2) pushkë gjuetie dhe 15 fishekë të kalibrit 12 mm., dhe një pistoletë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të largohet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale për shkak të dënimit të lartë për të cilat vepra penale parashihet, dhe me lënien në liri të të pandehurit S.T., i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për organet e ndjekjes, me çka do të pamundësojë zhvillimin e rregullt dhe të drejtë të kësaj procedure penale.
Nga të lartcekurat duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, rrezikshmërinë shumë të madhe shoqërore të këtyre veprave penale, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për shkak të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.