Arrestohet në Merdarë një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile

17.08.2025

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Personi i ndaluar është me inicialet S.S., i cili u arrestua nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në pikën kufitare të Merdarës, në hyrje të Kosovës nga Serbia. Ai është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Sipas komunikatës zyrtare, S.S. dyshohet se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në komunën e Vushtrrisë.

Autoritetet kompetente kanë theksuar se në koordinim të plotë mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.

Në afatin ligjor të përcaktuar, Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.