Zhvillimi ekonomik në Kosovë i varur nga formimi i një qeverie stabile

Fuqizimi i sektorit privat dhe krijimi i vendeve të reja të punës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së re të Kosovës për vitin 2021, thonë ekspertët për çështje ekonomike, të cilët theksojnë se për t’u realizuar këto duhet të formohet një qeveri stabile.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se qeveria e re duhet me gjithë kapacitetin të angazhohen për rikuperim e dëmeve ekonomike, duke u fokusuar te sektori privat.

Tutje, Rukiqi ka përmendur që Qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me një situatë të vështirë dhe të komplikuar për shkak të pasojave të shkaktuar nga Coronavirusi dhe masave kufizuese për parandalim e saj.

“Ne edhe ato hulumtimet që i kemi pa të opinionit publik se çka presin nga partitë politike që i kanë votuar, shumicën e rasteve ka dominuar punësimi, dhe ne besojmë që punësimi i qëndrueshëm krijohet përmes zhvillimit të sektorit privat. Qytetarët nuk duhet me pasë pritje që punësimi krijohet në sektorin publik ose tash të gjithë të punësohen në institucione publike, apo në të tjera vende, pra punësimi i vetëm i qëndrueshëm krijohet përmes krijimit të rrethanave që sektori privat rritet, që ka më shumë investime, eksport, prodhim, më shumë shërbime dhe produkte tjera, dhe kështu krijohen rrethanat e punësimit dhe kështu duhet të jetë fokusi i qeverisë në ardhje”, tha Rukiqi.

“Po kjo qeverisje vjen në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, për shkak se kemi një gjendje ende të vështirë, në aspektin ekonomik si pasojë e pandemisë, pra Kosova gjatë vitit të kaluar për herë të parë është ballafaquar më një tkurrje ekonomike e cila ka ardhur ekskluzivisht si pasojë e pandemisë dhe kjo normalisht që do të lërë pasoja edhe këtë vit por edhe vitin tjetër pra nuk pritet një rikuperim i shpejtë i gjendjes ekonomike, pasi që rënia ekonomike si pasojë e pandemisë është menduar që do të rikuperohet më shpejtë në rrethana që pandemia do të zgjaste për një periudhë më të shkurtër kohore”, theksoi tutje ai.

Po ashtu, përballja me variante të ndryshme të Covid-19, do të jetë sfiduese për Kosovën, pasi ballafaqimi me Coronavirusin nuk pritet të përfundojë deri në vaksinimin e popullatës.

“Tani po shohim që gjitha indikacionet janë, jo vetëm tek ne por edhe në vendet e tjera që gjendja me pandeminë ndoshta me një ndryshim për shkak se tani kemi sadopak hapjet e ekonomive në të gjitha vendet, por megjithatë kjo gjendje që lidhet me menaxhimin e pandemisë dhe me kufizimet që e përcjellin këtë gjendje do të vazhdojë edhe për një periudhë të caktuar kohore gjitha variantet më optimiste flitet për fundin e verës 2021, apo vjeshtën e hershme të këtij viti si një kohë ku një pjesë e madhe e vendeve do të kenë një situatë pak më të mirë edhe për shkak të vaksinimit. Tek ne edhe kjo është sfidë”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, po ashtu tha që si fokus kryesor nga qeveria e ardhshme do duhej të jetë, kujdesi shëndetësor, siguria nacionale, sektori i arsimit, dhe ndihma për ndërmarrjet e goditura nga pandemia Covid-19.

“Kosova natyrisht që ka ngecur në avancimin e reformave në shumë fusha, i përmenda disa prej shtyllave kryesore e pashmangshëm duhet përmend edhe shtyllat si: siguria nacionale, kujdesi shëndetësor i cili në anën tjetër është treguar që për shkak të mos investimeve të duhura  dhe për shkak të gjendjes jo të kënaqshme, shpërthimi i pandemisë pastaj ka detyruar edhe në një kufizim më të madh të jetës sociale në përgjithësi por edhe të aktiviteteve ekonomike. Pra këto do duhej të ishin shtyllat kryesore bashkë natyrisht me përmirësimin e gjendjes edhe në sektorin e arsimit, tashmë kjo është shumë e rëndësishme edhe për bizneset, pashmangshëm qeveria duhet të ketë në fokus që nga dita e parë edhe një përkrahje më proporcionale ndaj ndërmarrjeve edhe punonjësve të goditur në vend pas shpërthimit të pandemisë Covid-19”, tha Zeka.

Ekonomia e varur nga formimi i një Qeverie stabile

Rukiqi tha ndërrimi i shpeshtë i qeverive është një fatkeqësi për Kosovën, pasi situata jo e mirë politike krijon jostabilitet ekonomik.

“Unë besoj që kësaj here kemi një situatë pak më të qartë që është lajm i mirë, kemi thënë edhe në qëndrimet tona të mëhershme sa herë ka pasur thirrje për zgjedhje të parakohshme apo sa herë qeveritë nuk i kanë përfunduar mandatin që kjo është një fatkeqësi për Kosovën. Prandaj besoj që një shumicë e konsolidume parlamentare që tani pothuajse është e verifikuar do të ndikojë pozitivisht në kuptimin që do ketë stabilitet politik dhe stabilitetit politik është një parakusht për reformë ekonomike, dhe pjesa e dytë është krijimi i institucioneve”, theksoi tutje Rukiqi.

Po ashtu edhe Zeka thotë se të gjitha vështirësitë në ekonomi janë krijuar si pasojë e ndryshimit të qeverisjeve dhe funksionimit të tyre jo të mirëfilltë.

Sipas tij është shumë e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet sa më shpejtë dhe të krijohet Qeveria e re, dhe fokus të jetë zhvillimi ekonomik.

“Besoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe Kuvendi të konstituohet sa më shpejtë të jetë e mundur por në të njëjtën kohë edhe të krijohet qeveria e re e cila do të reflektonte edhe rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, është më se e nevojshme që nga dita e parë e qeverisë së re dhe fokusi i saj  të jetë në zhvillimin ekonomik por edhe në fusha të tjera që janë të rëndësishme e që lidhen në njërën anë ose tjetrën me zhvillimin ekonomik”, theksoi Zeka.

“Duke e pasur parasysh që edhe gjatë vitit të kaluar realisht ne e kemi pasur vështirësi në funksionimin e mirëfilltë të institucioneve, për shkak se e kemi nisur vitin me një qeveri në detyrë pastaj e kemi pasur një qeveri e cila nuk ka zgjatur shumë dhe sërish pjesën më të madhe të ditëve të saj ka qenë në qeveri në detyrë me kufizime në operim”, tha Zeka.

Tutje, Zeka thotë se nëse qeveria e re fillon të zbatoj premtimet e dhëna për arritjen e një zhvillimi ekonomik, atëherë shpresat tek qytetarët do të rriten.

“Ajo çfarë mund të themi është se tash kemi shumë zotime nga ana e partive, sidomos atyre që kanë marrë besimin e qytetarëve për të formuar institucionet e reja, nëse ato zotime fillojnë të zbatohen menjëherë që nga ditët e para të qeverisë së re atëherë natyrisht që shpresat për qytetarët do të ekzistojë edhe presim që të hapen mundësi të reja edhe të hapet një perspektivë e re e zhvillimit ekonomik dhe social. Do të ishte mirë që qeveria e re të merrte në konsideratë këto rrethana të reja që janë krijuar pas shpërthimit të pandemisë, të shfrytëzonte ato, dhe në anën tjetër të ndikonte me masat e saj ose me politikat e saj edhe me ndryshimin e strukturës së saj”, përfundoi Zeka.

RAPORTO