Vjosa Osmani: Stafi mjekësor meriton rritje të pagave

Vjosa Osmani: Stafi mjekësor meriton rritje të pagave
Fisnik Sadiku

04.02.2020 / Lajme

Dje me 65 vota pro, Vjosa Osmani edhe zyrtarisht është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Kosovës, ndërsa sot ajo ka vizituar Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Univesitare të Kosovës (QKUK), ku ajo theksoi se stafi mjekësor meriton të ketë rritje të pagave.

Po ashtu Osmani ka folur edhe për pezullimin e Ligjit të pagave, ku ajo tha se institucionet e larta shtetërore nuk iu lejohet të ndërhyjnë në këtë proces, derisa Gjykata Kushtetuese merr vendimin.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shtuar se çka ndodh me ligjin për paga, nëse ai do të hartohet nga fillimi apo do të merren vetëm me dispozita të caktuara të ligjit, punëtorët shëndetësorë meritojnë trajtim më të mirë.

“Sa i përket Ligjit për paga, siç e dini, ai për momentin është në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta nuk lejon as Qeverinë e Kosovës, as neve si Kuvend të ndërhyjmë në atë proces derisa të kemi vendim nga gjykata dhe ai vendim siç jemi njoftuar pritet në mars, sepse deri në mars është pezulluar hyrja në fuqi”, tha Osmani.

Po ashtu ajo tha se: “Ajo çka dua të them është se sikur në kohen kur ka ardhur ligji për pagat në Kuvendin e Kosovës, por edhe sot e kam arsyetuar së bashku me kolegë të tjerë deputetë që janë edhe mjekë me profesion, që mjekët, infermierët, stafi mjekësor, absolutisht meritojnë rritje të pagave. Mënyra se si janë trajtuar deri tani ka qenë e padinjitetshme dhe shpresoj shumë që pavarësisht se çka ndodh me ligjin, a duhet ta hartojmë nga fillimi apo vetëm duhet të merremi me dispozita të caktuara të atij ligji, mjekët, infermierët dhe gjithë punëtorët shëndetësorë meritojnë trajtim tepër më të mirë se sa e kanë p as deri tani, duke e pasur parasysh se kanë profesionin më të shenjtë dhe më të rëndësishëm atë të mbrojtjes së jetës”.

RAPORTO