Vendos Sindikata, punëtorët teknikë të spitaleve e QMF-ve do të protestojnë

18.11.2021

Në mbledhjen e mbajtur sot nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) është vendosur që të mërkurën, pra në javën e ardhshme do të protestohet para Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Mosndarja e shtesave për punëtorët teknikë të spitaleve dhe Qendrave të Mjekësive Familjare (QMF) është bërë shkas për vendosjen për protestë si […]

Vendos Sindikata, punëtorët teknikë të spitaleve e QMF-ve do të protestojnë Foto: Ilustrim

Në mbledhjen e mbajtur sot nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) është vendosur që të mërkurën, pra në javën e ardhshme do të protestohet para Ministrisë së Shëndetësisë (MSh).

Mosndarja e shtesave për punëtorët teknikë të spitaleve dhe Qendrave të Mjekësive Familjare (QMF) është bërë shkas për vendosjen për protestë si shenjë pakënaqësie.

Ndërkaq, mjekët do të marrin shtesa prej 10 për qind (%) të pagës për muajt nëntor dhe dhjetor.

Protesta e punëtorëve teknikë të spitaleve dhe QMF-ve sipas kryetarit të kësaj sindikate, Jusuf Azem, do të zgjas për rreth një orë dhe se nuk do të kryhet asnjë shërbim.

Kryetari i SPSPK-së është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës edhe që ndau 20 milionë euro për serbër e veriut e që nuk i ka përkrahur punëtorët teknikë që kanë qenë po aq të rezikuar sa mjekët nga pandemia.

“Ne sot patëm një takim vendimmarrës. Ne kemi hyrë në një fazë intensive dhe është marrë vendim që të mërkurën e ardhshme nga ora 11:00 do të protestohet para Ministrisë së Shëndetësisë për një orë”.

“Gjatë asaj periudhe nuk do të kryejmë asnjë shërbim. Nëse nuk merren parasysh atëherë shkojmë edhe në grevë. Përderisa Qeveria ndan mbi 20 milionë euro për serbët e veriut dhe për ne nuk ka stimulim nuk do koment dhe do të shkojmë deri në hapat përfundimtar”.