Universitetet publike dhe kolegjet private ende pa akreditim, KShC thotë se janë 239 aplikacione

17.07.2021

Tashmë viti shkollor 2020/21 ka përfunduar, ku maturantët u drejtohen universiteteve për të studiuar në drejtime të ndryshme. Por, konkursi për pranimin e studentëve të rinj ende nuk është hapur në universitetet publike. Kjo pasi që Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ende nuk e ka përmbyllur procesin e akreditimit, dhe se kjo është arsyeja që […]

Universitetet publike dhe kolegjet private ende pa akreditim, KShC thotë se janë 239 aplikacione Foto: Ilustrim

Tashmë viti shkollor 2020/21 ka përfunduar, ku maturantët u drejtohen universiteteve për të studiuar në drejtime të ndryshme.

Por, konkursi për pranimin e studentëve të rinj ende nuk është hapur në universitetet publike.

Kjo pasi që Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ende nuk e ka përmbyllur procesin e akreditimit, dhe se kjo është arsyeja që ende nuk është hapur një konkurs i tillë në universitete.

Përfundimi i këtij procesi po synohet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.

Një vonesë e tillë po arsyetohet me faktin se Këshilli është kompletuar vetëm një muaj më herë dhe se janë një numër i madh i aplikacioneve për shqyrtim.

Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) kanë për synim përmbushjen e kritereve për kthim të Kosovës në ENQA e EQAR dhe përfudnimin e procesit të akreditimit.

Hasjnije Ilazi, kryetare e KShC-së, në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar se do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që procesi i vlerësimit të aplikacioneve për akreditim të përfundojë më së largu deri në fund të këtij muaji (korrik).

Ilazi ka thënë se në mbledhjen e parë janë trajtuar disa aplikacione, por sipas saj është jo reale të pritet që për një kohë të shkurtër të përfundojnë gjithsejt 239 aplikacione.

Ajo ka bërë të ditur se 239 aplikacione janë në pritje dhe se secili aplikacion i ka nga 100 faqe.

“Ne kemi mbajtur mbledhjen e parë dhe në mbledhjen e parë kemi arritur me marrë vendime për disa, një pjesë me thënë të aplikacioneve, prioritet kemi pasur institucionet në rend të parë, në kuptimin e akreditimit institucional dhe tani kanë mbetur programet e veçanta të cilat duhet të akreditohen.

Pse ka ndodhur vonesë, prapë unë po them që nuk është vërtetë shumë reale të pritet që për një muaj ne mundemi të trajtojmë të gjitha ato dokumente se kanë qenë realisht 239 aplikacione në pritje, llogariteni që secili aplikacion i ka 100 faqe.

Do të thotë është e pamundur të kalohet nëpër to brenda një periudhe aq të shkurtër… Shpresojmë dhe bëjmë përpjekje që të gjitha programet të kalojnë nëpër këtë proces të vlerësimit dhe të kemi vendime deri në fund të korrikut”, thotë ajo.

Kryetarja e KShC-së nuk ka përmendur emrat e institucioneve apo programeve për të cilat ka përfunduar shqyrtimi, për arsye se për to janë duke u përgatitur vendimet dhe do të publikohen më pastaj.

Pavarësisht që universitetet kanë shtyrë afatet për hapjen e konkurseve për shkak të mos përmbylljes së procesit të akreditimit, Ilazi thotë se të gjitha aplikacionet do të shqyrtohen me kujdesin më të madh.

“Qëllimi jonë është ngritja e cilësisë së arsimit në Kosovë dhe në momentin kur ne i kemi mekanizmat përmes të cilave do të masim ngritjen ose rënien e cilësisë në cilindo institucion qoftë privat qoftë publik nuk diskutohet, ne do të vendosim mbi bazën e performancës të cilën tregojnë universitetet dhe kolegjet.

Ajo çka do të jetë përpjekja jonë është prapë po them që këto kritere, këta indikatorë të jenë sa më konkret, të jenë sa më të qartë, madje aq të qartë që institucionet edhe vet do të kenë mundësi me vlerësua vetën gjatë procesit dhe me e pas një ide të qartë se çfarë ka me qenë vendimi në fund”, potencon ajo.

Gjatë procesit të shqyrtimit të aplikacioneve, Ilazi potencon se kanë vërejtur që legjislacioni aktual dhe manuali me të cilin punojnë mundëson interpretime të ndryshme të kritereve për akreditim, e këtë thotë se synojnë ta adresojnë shumë shpejt.