Kush ishte heroi kavajas Indrit Cara që ra dëshmorë në Suharekë [VIDEO]

31.03.2022

Ishin vetëm dy forca politike që e rekomandonin këtë variant: Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), të dyja në ilegalitet, e para brenda në Kosovë, e dyta jashtë vendit dhe individë të saj brenda në Kosovë, por jo struktura, sikundër ishte LKÇK. Indrit Cara, në moshën 14 vjeçare […]

Kush ishte heroi kavajas Indrit Cara që ra dëshmorë në Suharekë [VIDEO] Foto: Ilustrim

Ishin vetëm dy forca politike që e rekomandonin këtë variant: Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) dhe Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), të dyja në ilegalitet, e para brenda në Kosovë, e dyta jashtë vendit dhe individë të saj brenda në Kosovë, por jo struktura, sikundër ishte LKÇK.

Indrit Cara, në moshën 14 vjeçare regjistrohet në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë, e cila ishte fidanishtja e kuadrove të ushtrisë shqiptare. Pasi e kryen këtë shkollë dërgohet të pwrgatitet për oficer kundërajror në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Pas dy vjetësh studime në atë akademi, në Shqipëri fillojnë proceset demokratike. Duke i parë qartë se si do të rridhnin ngjarjet, Indriti largohet nga shkolla, në vitin e fundit, kthehet në familje dhe pasi merr edhe miratimin e saj për atë vendim, shkon refugjat ekonomik në Itali, ku qëndron dy vjet. Më vonë kalon në Londër, ku merr edhe vëllanë tjetër, Dorjanin. Morën kurbetin, si gjithë rinia shqiptare, pasi e panë qartë se prindërit ishin të moshuar, pa shtëpi, pa punë dhe pa perspektivë edhe për ata.

Në Londër, Indriti takohet, punon e jeton edhe me shumë djem nga Kosova. Miqësohet me ta. Në Kosovë më në fund del në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Gazeta “Zëri i Kosovës” jepte gjithnjë e më shumë lajme për luftën në Kosovë. Kjo e entuziazmon Indritin. U bë më i gjallë, më shprehës, më i gëzuar… Në 18 Dhjetor 1997, Indriti boton një shkrim në gazetën e UÇK-së. Ai u bën thirrje të gjithëve që e ndjenin veten sado pak shqiptarë, të ndihmonin luftën me të gjitha format. “Ta ndihmojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, këtë filiz shprese, force dhe krenarie, që të rritet e të forcohet si një lis madhështor, t’i bëjë ballë shtrëngatës serbe. Rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, mbyllet shkrimi i Indritit. Pra qysh në fillesat e saj, Indriti e ndjek në vijimësi situatën e luftës në Kosovë dhe në Janar të vitit 1999 lë Londër dhe niset për në Shqipëri, me vendimin se do të shkonte të luftonte në Kosovë, në radhët e UÇK-së. Pasi mbërrin te prindërit e tij, pas 8 vjet ndarje, (tani i gjen në banesën që ai u kish blerë), ndahet shpejt prej tyre dhe niset në Kosovë, bashkë me tre shokët e tij prej Kosove, që kishin qenë së bashku në emigracion.

Bëjnë tentativën e parë përmes Kukësit. I ndalon policia shqiptare, i arreston dhe i kthen në Tiranë. Dalin nga burgu me ndërhyrjen e ambasadorit shqiptar në Londër dhe nisen përsëri për në luftë. Fillim i marsit 1999. U desh të kalonin fshehtas liqenin e Fierzës dhe të mbërrijnë në Pagarushë, Neshec. Ato ditë pritej fillimi i një ofensive e ushtrisë serbe kundër zonës së Pashtrikut.

Në shtëpinë ku ishte vendkomanda rezervë e Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, unë dhe Shefi i Shtabit, Bislim Zyrapi u kthyem nga kontrolli i fronteve në ora 02:00 e datës 20 Mars 1999, pra në mesnatë. Nata ishte me hënë, ndërsa gjithë terreni ishte i mbuluar me borë. Ishte njësoj si ditë. Pasi ndalon xhipi, hapëm dyert të zbrisnim si unë edhe Bislimi. Ishim në të njëjtin krah të tij. Porsa zbritëm, na doli përpara një djalë i ri, duke marrë drejtqëndrimin dhe duke nderuar ushtarakisht. Mënyra se si e morri drejtqëndrimin dhe nderimin, më tërhoqën vëmendjen dhe menjëherë e pyeta: Nga të kemi mor djalë? Nga Kavaja. Po ju shef nga u kemi? Edhe unë andej jam, i thashë dhe u përqafuam. U takua edhe me Bislimin. Kur unë e pyesja, Bislimi rrinte dhe dëgjonte. Atë natë do të niseshin rreth 100 djem me armatim dhe municion për në zonën e Llapit. Pasi më tregoi se kish qenë edhe skënderbegas, u gëzova që më në fund do të kisha pranë një skënderbegas, sikundër pata qenë edhe vetë, por edhe ngaqë Bardhyl Tahiri kish shkuar në Drenicë.

Kur mësova se kish dëshirë të shkonte në Llap, bashkë me shokët që pat ardhur nga Londra, të cilët ishin nga Llapi, instiktivisht i thashë se nuk do të shkonte në Llap. Do të rrish këtu, në shtab, bashkë me mua. Në këtë kohë ndërhyri Bislimi me humor, duke imituar Mato Grudën: Atë e di unë. Qeshëm dhe u ndamë , por që do të rreshtoheshin pas pak. Në një moment e takova përsëri në korridorin e godinës dhe e pyeta në intimitet se pse e kish lënë Londër dhe erdhi në luftë. Nuk e mbarova shkollën ushtarake dhe erdha ta përfundoj këtu, në luftën e vërtetë. Që në momentin që ke vendosur të vish në luftë, i thashë, që në atë moment ti je diplomuar oficer. Do të luftojmë së bashku. Pasi kontrollohet armatimi dhe njerëzit që do të niseshin për në Llap, bëhet rreshtimi i tyre në dy rreshta. Edhe Indriti ishte në rresht. Pasi u dhanë komandat e nevojshme, Bislimi urdhëroi: Ushtar Kavaja dilni nga rreshti dhe shkoni pranë Shpëtimit (Pseudonimi i Dilaver Goxhajt. K.B.). Të tjerët urdhërohen të nisen për në Llap. Indrit Cara emërohet kuadër drejtues pranë kompanisë autonome të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me bazë në Divjakë të Berishës dhe u nis qysh atë natë. Por ngjarjet morën tjetër rrjedhë…

Ishte 31 Mars 1999. Kish më se një javë që zona e Pashtrikut zhvillonte luftime të ashpra me ushtrinë serbe. Sulme e kundërsulme të përditshme. Armiku çdo ditë e më shumë po sillte përforcime si në forca, ashtu edhe në mjete zjarri. Nga të dy anët kish humbje të konsiderueshme. Komandanti i Zonës së Pashtrikut, Tahir Sinani kishte organizuar zbatimin e vendimit për mbrojtje aktive dhe të mos e lëshonte zonën e Pagarushës, sikundër ishte urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm, për mbrojtjen e popullatës së grumbulluar në atë zonë, ku ishin me dhjetëra mijëra gra, pleq e fëmijë. Në drejtim të Samadrazhës armiku mundi të depërtonte me tanke, përgjatë luginës. Nevojiteshin përforcime për të dhenë kundërsulm. Nuk kishim më forca rezervë. U vendos që në ndihmë të zonës të sillej një togë nga kompania e shtabit të Përgjithshëm. Urdhri u dha me radio. Pas 30 minutash mbërrijnë përforcimet, me në krye Indrit Carën. Takohem përsëri me Indritin. Përqafohemi. Në secilin nga ne kishte diçka intime për njeri – tjetrin. Ndoshta na dukej se ishim ndërmjetës për secilin, për vendlindjen, shkollat ushtarake ku kishim studiuar. Na u duk sikur do të niseshim në shtëpi, pranë prindërve dhe të tjerëve. Unë e dija se ku do të shkonte Indriti me togën që po komandonte. Pas një minute do t’u jepja detyrën. Duke e përqafuar, i thashë pa e larguar kokën nga e tija: pse erdhe, ne të kemi dërguar të na stërvitësh ushtarët. Ai më tha: Unë nuk kam ardhur këtu për të ngrënë fasule.

Indriti morri detyrën, që me togën e tij të rimerrte dhe të  mbante majën e malit të Gallushës, me qëllim që të goditej armiku nga shpina, për t’u tërhequr prej luginës. Bora ishte e madhe. Të ftohtit ishte i jashtëzakonshëm, por toga e Indritit pasi e morri me sulm, qëndronte e patundur në majën e Gallushës. Detyra u realizua. Armiku kundërsulmoi përsëri, pas një përgatitje të gjatë me zjarr artilerie, por nuk mundi ta rimerrte majën e Gallushës. Sulmi i tij u thye me zjarr. Pati të vrarë nga të dy anët. Bora e bardhë u bë e kuqe e errët prej gjakut. Në mbrëmje vonë kur unë me Bislimin kishim mbërritur në Divjakë dhe po tereshim pranë një stufe, erdhi komandanti i kompanisë së shtabit, u kthye edhe ai nga luftimet, kur Bislimi e pyeti se a kishin pasur humbje në njerëz, ai nuk u përgjigj. Kjo më dogji, dhe menjëherë u ktheva nga ai dhe e pyeta: Mos është vrarë gjë Kavaja?

Po, më tha Bislimi, është vrarë Indriti… Nuk mbaj mënd më se ç’ndodhi me mua. Mbaj mend kur më përmendën shokët. Isha tronditur së tepërmi. Kërkova të më shoqëronin atje ku e përgatisnin për herë të fundit dhe mbërrita pas një ore. Ishte natë. Kur shkova unë, shokët e kishin pastruar. E putha dhe i mbylla sytë, duke i dhënë lamtumirën e fundit. Indriti u varros nën krismën e armëve në Negrofc. Menjëherë si përfundoi lufta, i ati i Indritit, Lulzimi, erdhi për të parë vendin ku i kish rënë i biri. Në çdo ngjarje të madhe kombëtare, Carajt i dhanë kombit tonë heronj.

Në 10 Tetor 1999 eshtrat e Indrit Carës kthehen në vendlindje me helikopter. Helikopteri para se të ulej bën 2 rrotullime mbi qytetin e Kavajës dhe pastaj ulet në stadiumin e tij. Po këtë lloj përshëndetje bën helikopteri mbi qytet edhe kur largohet. Indriti iu shndërrua dhe iu kthye si engjëll Kavajës dhe familjes së tij. Bashkia e qytetit të Kavajës dhe Këshilli i Rrethit e shpallën ‘Dëshmor të Atdheut’, ndërsa Presidenti i Republikës e dekoroi me dekoratën më të lartë:’Shqiponja e Artë’. Bashkia e qytetit, në nderim të tij, vendosi që bulevardi kryesor i qytetit të mbajë emrin e Indrit Carës si dhe shkolla 8-vjeçare ku ai pat kryer ato vite. Ceremoninë mortore e ri varrosjes së Indrit Carës ishte madhështore. Kurrë nuk e mban mend Kavaja një nderim të atillë. I gjithë qyteti ndaloi çdo lloj aktiviteti. Tregu nuk u hap. Funksiononin vetëm kafenetë, të cilat tregtonin vetëm kafe. Qyteti Kavajës ishte veshur në të zeza dhe flamuri kombëtar ishte ngritur në gjysmë shtize. Asnjë makinë nuk lejohej të qarkullonte në rrugën kryesore të qytetit. Kudo mbretëronte heshtja. Kavaja mbante zi për djalin e saj Hero, Indrit Carën, Kavajën. Prej stadiumit të qytetit për në familje, prej familjes në qendër të qytetit për homazhe, prej homazheve në qendër të sheshit të qytetit, që sot mban emrin e Indritit, dhe prej andej deri në banesën e tij të fundit , trupi i Indritit u përcoll nga orkestra frymore e Ushtrisë Shqiptare, e shoqëruar nga kolona dhjetëra mijëshe e popullit të qytetit. Atë numër e rriste edhe më tepër ardhja e banorëve nga Durrësi me rrethina dhe të fshatrave të Kavajës, që janë me origjinë nga Kosova, si dhe me qindra refugjatë kosovarë që ende nuk ishin kthyer në Kosovë. Në krye të kolonës të pafundme njerëzore, që po e përcillte Indritin në përjetësi, ishin shokët e luftës së tij, që e mbanin atë në krah. Atje ishte e gjithë Shqipëria.