Kurti shfuqizon vendimin e Haradinajt që Damperi t’i kthehet Komunës së Suharekës

30.04.2022

Kurti tha se pronat duhet t’i kthehen AKP-së dhe se kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet sipas tij është i pakompromis. “Shqyrtimi i propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimeve të qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP-ja në komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i […]

Kurti shfuqizon vendimin e Haradinajt që Damperi t’i kthehet Komunës së Suharekës Foto: Njësia Damper, credits: Hallka - Herolind Bytyçi

Kurti tha se pronat duhet t’i kthehen AKP-së dhe se kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet sipas tij është i pakompromis.

“Shqyrtimi i propozim-vendimit për shfuqizimin e vendimeve të qeverisë për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP-ja në komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit. Zbatimi i ligjshmërisë është parim themelor me të cilën udhëhiqet qeveria jonë për këtë kthimi i ligjshmërisë aty ku kërkohet është i pakompromis. Vendimet e ish-qeverisë Haradinaj përmes të cilave tokat e AKP u ndahen komunave të caktuara sot duhen shfuqizuar përshkak të rrethanave të ndryshuara ligjore”, tha Kurti.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendimet duhet të shfuqizohen për arsye që s’janë zbatuar dhe përshkak të ndryshimit të ligjit.

“MAPL ka sjellë për miratim shfuqizimin e disa vendimeve të ish-qeverisë Haradinaj. Propozim-vendimi për shfuqizimin e vendimit bazohet për arsye se këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen dhe për faktin se në vitin 2019 ka ndryshuar ligji i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale dhe këtë duhet ta harmonizojmë”, tha ministri Krasniqi.

Kabineti qeveritar miratoi me shumicë votash propozim-vendimin e ministrisë së Pushtetit Lokal.

Bazuar në kërkesat për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të administruara nga AKP te komunat, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 6 korrik 2018 ka miratuar këto vendime: Vendimi Nr.05/55 i Komunës së Gjilanit, Vendimi Nr. 06/55 i Komunës së Ferizajt, Vendimi Nr. 07/55 i Komunës së Suharekës, Vendimi Nr. 08/55 i Komunës së Skenderajt, Vendimi Nr. 09/55 i Komunës së Deçanit, Vendimi Nr. 10/55 i Komunës së Junikut, dhe Vendimi Nr. 11/55 i Komunës së Hanit të Elezit. Këto vendime nuk kanë mundur të zbatohen, dhe në vitin 2021 kanë pësuar ndryshimet ligjore, përkatësisht Ligji Nr.06/L-092 ka shfuqizuar Ligjin Nr.04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës. Shfuqizimi i vendimeve të lartcekura bëhet në përputhje me nenin 57 të Ligjit Nr.05/L-031 Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Ndryshe kryeministri i asaj kohe Ramush Haradinaj në mbledhjen e 55-të të Qeverisë së Kosovës të datës 06.07.2018 me vendimin 07/55 (shih më poshtë) kishte aprovuar kërkesën e MAPL-së që pronat e IGK “Ballkan” ku bënë pjesë edhe njësia Damper ti kthehen Komunës së Suharekës.

Muaj më vonë pas ankesës së ish-presidentit Thaçi drejtuar Gjykatës Kushtetuese (16.11.2018), në mbledhjen e 76-të të Qeverisë së Kosovës të datës 21.11.2018, në vendimin 05/76 qeveria:
(i) pezulloi të gjitha vendimet e Qeverisë për kthimin e pronave të AKP-së komunave të Kosovës;
(ii) anuloi të gjitha vendimet e Qeverisë për kthimin e pronave shoqërore të AKP-së komunave të Kosovës për të cilat verifikohet se ka kontrata të shitjes, apo në të cilat ka masa të përkohshme nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme per çështje të AKP-së;
 (iii) anuloi Vendimin [nr. 05/57] te 17 korrikut 2018; si dhe
 (iv) la ne fuqi vendimet [nr. 10/51] te 12 qershorit 2018 (per komunen e Prizrenit), [nr. 01/53] te 26 qershorit 2018 (per Komunen e Gjakoves), dhe [nr. 15/75] te 13 nentorit 2018 (per Komunen e Prishtines).

Nga vendimi i datës 21.11.2018 për pezullim dhe anulim të vendimeve të mëparshme për kthimin e pronave shoqërore në pronësi të komunave në fuqi kanë mbetur vendimet: 10/51 për Komunën e Prizrenit, vendimi 01/53 për Komunën e Gjakovës dhe vendimi 15/75 për Komunën e Prishtinës.

Sipas këtij vendimi pezullohet edhe ai për Komunën e Suharekës nr.07/55 i datës 06.07.2018, pasiqë në pikën një thuhet se pezullohen të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës për kthimin e pronave shoqërore të AKP-së komunave të Kosovës, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Më pas Gjykata Kushtetuese më 1 korrik 2019 ankesën e presidentit Thaçi e kishte kthyer si të papranueshme dhe që nga publikimi i këtij vendimi për njësinë Damper mbetet në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 21.11.2018, pasiqë më 19 korrik 2019 Haradinaj kishte dhënë dorëheqje.

Si përfundim pronar aktual i Njësisë DAMPER në Shirokë – Suharekë është NSH “IGK Ballkan” – Suharekë (në likuidim) sepse prona është e regjistruar në emër të “P. SH. IGK Ballkan Njësia DAMPER” me sipërfaqe prej 309791 m² (30 ha 97 ari 91 m²) që i përfshin 5 ngastra kadastrale në ZK Suharekë. Në kuadër të pronës gjenden 15 objekte me sipërfaqe prej 80417 m² (sipas matjeve të kryera nga AKP ZR Prizren) të cilat objekte nuk janë të regjistruara në Certifikatën mbi të Drejtat e Pronës së Paluajtshme dhe në Kopje të Planit.

Vërejtje: Një pjesë e ngastrës kadastrale P-72116046-02315-1 me Vendimin e BD te AKP-se të datës 25 Qershor 2020 i është dhënë Komunës së Suharekës për zgjerimin e rrugës hyrëse të qytetit të Suharekës.

Kurse Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) është organ i pavarur publik me zotësi të plotë juridike sipas Ligjit Nr. 04/L-034 dhe si pasardhëse të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM-së), e themeluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2002/12 me ndryshime, dhe të gjitha asetet dhe përgjegjësitë e saj do të jenë asete dhe përgjegjësi të AKP-së. AKP-ja administron me pronat e NSH-ve në bazë të mandatit që ja përcakton Ligji Nr. 04/L-034.