Arrestohet një i dyshuar në Mushtisht, ushtroi dhunë ndaj gruas – Policia i gjen dy armë dhe fishekë

06.12.2022

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre, por kanë frikë t’i denoncojnë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku është arrestuar një burrë, i […]

Arrestohet një i dyshuar në Mushtisht, ushtroi dhunë ndaj gruas – Policia i gjen dy armë dhe fishekë Foto: Ilustrim

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre, por kanë frikë t’i denoncojnë.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se ka ushtruar në vazhdimësi dhunë ndaj gruas.

I dyshuari njihet edhe si problematik në fshat, çka e shtyri policinë që të intervenojë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se rasti u zbulua pasi një qytetar njoftoi Policinë se i dyshuari E.M., po ushtron dhunë në familje dhe gruaja e tij është në rrezik.

Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, teksa bashkëshortja e tij ka dhënë një deklaratë para zyrtarëve policorë.

Sipas informacioneve të para, viktima fillimisht nuk ka guxuar të jap deklaratë për shkak të frikës nga burri i saj, e më pas ka rrëfyer kërcënimet dhe dhunën që ka përjetuar nga i dyshuari.

Siç thonë të njëjtat burime, në shtëpinë e tyre, policia ka gjetur disa gëzhoja, çka ka ngritur dyshimet se burri i dyshuar posedon armë pa autorizim.

Kjo ka bërë që të bëhet kërkesë për kontroll në këtë shtëpi, me ç’rast u gjetën dy armë e dhjetëra fishekë që u konfiskuan nga policia.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”./GazetaSinjali/