Studentët nga Kosova triumfojnë në “RoyalHacks Hackathon” në Danimarkë
Një arritje e jashtëzakonshme është shënuar nga studentët kosovarë në fushën e teknologjisë.
Gjergj Çuni dhe Jeta Krasniqi nga Departamenti i Shkencës Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës kanë fituar vendin e parë në garën ndërkombëtare “RoyalHacks Hackathon”, e mbajtur në Danimarkë.
Të angazhuar aktualisht në një program shkëmbimi në Universitetin Linnaeus në Suedi, ata morën pjesë në këtë garë 24-orëshe në IT University of Copenhagen, ku zhvilluan zgjidhje inovative për parandalimin e sulmeve phishing.
Së bashku me Egzona Berishen nga Universiteti Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, ekipi i tyre u shpall fitues në “track”-un e platformës n8n, duke u veçuar mes rreth 100 studentëve nga vende të ndryshme të Skandinavisë.
Ky sukses thekson nivelin e lartë të përgatitjes dhe potencialin e të rinjve nga Kosova në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
